LMN paralajmëron Ramën: Rikandidimi për Bashkinë tregon panikun nga Berisha dhe tradhtinë ndaj PS-së

Lëvizja për Mendim Ndryshe në Partinë Socialiste dyshon se kryetari i saj, Edi Rama mund të kandidojë për herë të katërt për Bashkinë e Tiranës. Sipas deputetit të LMN-së, Marko Bello, do të ishte mirë që Edi Rama të mos rikandidonte për Bashkinë e Tiranës, për t’u fokusuar te drejtimi i partisë dhe përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por siç shprehet deputeti i mendimit ndryshe, kryesocialisti e ka të vështirë të pranojë një përballje direkte me kryetarin e demokratëve dhe njëherazi kryeministrin, Sali Berisha.
“Do të preferoja një kryetar partie të fokusuar tek partia se sa tek Bashkia e Tiranës. Ky është mendimi im personal, dhe këtë do ta vendosin forumet dhe padiskutim zoti Rama. Do të preferoja një kryetar që nesër do të ishte nesër kryeministër i vendit se sa kryetar bashkie sepse më duket sikur çfokusohet nga qëllimi kryesor që është fitimi i pushtetit jo për hir të pushtetit, por për të qeverisur më mirë Shqipërinë, siç pretendojmë ne”- tha Bello. Nisur nga pretendimet e ngushta të Ramës për një rikandidim të katërt për Bashkinë e Tiranës, në selinë rozë bëhet gjithnjë e më i besushëm fakti që kryetari i socialistëve i druhet të përballje të drejtpërdrejtë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Dhe si për të shmangur një tjetër disfatë, e cila mund të ishte fatale në rast humbjeje, Edvini është i gatshëm të shpëtojë kokën duke sakrifikuar lënien e PS-së në opozitë edhe për një 4 vjeçar tjetër pas vitit 2013-ë.