Pas raportit të OBSH-së, reagojnë qytetarët: S’do lejojmë të na betonizohet Tirana

Banorë të kryeqytetit kanë shprehur dje nota proteste për planet ogurzeza të kryebashkiakut, Edvin Rama, për të kthyer në pallate shumë katëshe të vetmen zonë të gjelbër të Tiranës, Parkun e Liqenit Artificial
Raporti më i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për nivelin e ndotjes në Tiranë, i cili i shkurton qytetarëve 2 vite jetë më pak, ka alarmuar banorët e kryeqytetit. Sipas kryeqytetasve, ndotja në Tiranës është shumë shqetësuese, madje ka edhe nga ata që thonë se dëmi i shkaktuar është edhe më i madh.
“2 vite jo, por të paktën nja 4 vjet”- shprehet i nervozuar një nga banorët e kryeqytetit, i cili fajëson për këtë fakt të dhimbshëm politikat e shfrytëzimit dhe betonizimit të Tiranës, nga kryetari i Bashkisë Edi Rama. “Ndotja është shumë e madhe, ne vazhdimisht kemi probleme me frymëmarrjen. Një fshat që duket nuk do kallauz. Ne jemi qelbur, ne jetojmë në plehra”- shprehet një qytetar tjetër. Duke specifikuar disa nga zonat më të ndotura të kryeqytetit, banorët ankohen për probleme të shumta shëndetësore. Si të mos mjaftonte ndotja që kanë shkaktuar punimet në sheshin “Skënderbej”, skandali me jetën e banorëve të kryeqytetit shkon edhe më tej. Bashkia ka vendosur të hapë një tjetër kantier ndërtimi, dhe këtë herë në “mushkërinë” e vetme të Tiranës, duke shtuar edhe më shumë ndotjen në Tiranë. Pra, bëhet fjalë për kthimin në betone dhe kollona shumë katëshe të zonës së Parkut të Liqenit.
Banorët thonë se e gjithë kjo po bëhet për të fryrë xhepat e kryetarit të Bashkisë, ndërkohë që nga ana tjetër shëndeti i tyre është gjithnjë e më në rrezik.
“Ne na duhet gjelbërimi. Gjelbërimi është jeta, ndaj edhe është shumë negative kjo që po ndodh. Kjo është zona e Tiranës ku filtrohet ajri, s’duhet të lejojmë kthimin e saj në një hapësirë të betonizuar dhe me pallate shumë katëshe. E gjithë Tirana është e betonuar. Të paktën të lihet kjo hapësirë për argëtim dhe s’lodhje. Rama duhet të bëjë nj referendum për për të gjithë banorët e Tiranës dhe më pas të veprojë, megjithëse jemi të bindur që askush nuk do ta miratojë”- deklarojnë banorët në protestën e tyre.
Nmë raportin e OBSH-së janë studiuar edhe grimcat e dëmshme të ajrit trë cilat janë shkaktare të shumë sëmundjeve kardiovaskulare, duke kujtuar se ndotja në Tiranë është tej masave të lejuara të Bashkimit Evropian. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, hapja e një kantieri ndërtimi në zonën e Liqenit artificial, do të ndikonte në përkeqësimin e nivelit të ndotjes në kryeqytet.