Reagimi i inspektorëve të mjedisit, Bashkia e Tiranës, ndotësi më i madh i kryeqytetit

Bashkia e Tiranës konfirmohet si një nga ndotëset më të mëdha të kryeqytetit, duke rrezikuar ndjeshëm shëndetin e qytetarëve. Agjencia Rajonale e Mjedisit në Tiranë ngre zërin për shkeljet e Bashkisë. Sipas ekspertëve të kësaj agjencie, ka mjaft subjekte që sjellin ndotjen e mjedisit, një nga këto subjekte është bashkia e Tiranës, e cila ende vazhdon të kryejë punimet në qendër të kryeqyetit pa leje mjedisore, madje ka rinisur dhe të tjera pa u pajisur me to, ndërtime pa fund në pallate shumë katesh në çdo cep të qytetit, duke shkaktuar kështu një ndotje të rrezikshme të ambientit. Masat administrative sipas inspektoreve të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, janë gjobat që për qendrën e Tiranës bashkia e ka marrë, por edhe pezullimi i punimeve. “Kohët e fundit elementi bashkëpunim në lidhje punimet që bëhen brenda për brenda qytetit të Tiranës në shumicën e rasteve është bashkia e Tiranës që është përgjegjëse apo investitori nuk ka aplikuar në asnjë rast që të marrë leje mjedisore nga Agjencia e Mjedisit. Konkretisht mund të themi se punimet që po bëhen në qendrën e Tiranës për ristrukturimin e qendrës dhe punimet që kanë filluar në urën pranë Qytetit të Nxënësve për zgjerimin e urës janë pa leje mjedisi”- thekson Agjencia Rajonale e Mjedisit në Tiranë. Përfaqësuesit e Agjencisë së Mjedisit, i bëjnë apel jo vetëm bashkise, por edhe subjekteve të tjera që mos të nisin veprimtarinë e tyre pa leje mjedisore. Bashkia e Tiranës vazhdon të qëndrojë në krye të piramidës ndotëse të kryeqytetit shqiptar, duke u faturuar qytetarëve një rrezik shëndetësor, pasi nëse iu referohemi raporteve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tirana është krejtësisht një zonë urbane e pabanueshme, për shkak të ndotjes së paprecedentë dhe kjo për faj të neglizhencës së institucionit përgjegjës, Bashkia e Tiranës.
...