E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mbyll “Dialog me Shqipërinë” në Veri të vendit

Takimet në Malësinë e Mbishkodrës i kanë dhënë fund turit treditor të kreut të PS-së në Veri të vendit. Rama është ndalur në Puka, më pas në fshatra të ndryshme të qarkut të Shkodrës, në Koplik dhe në komuna të tjera. Gjatë këtyre takimeve, Rama vuri në dukje se varfëria, papunësia dhe korrupsioni, janë ulur këmbëkryq mbi Shqipërinë. “Por pa dyshim kjo nuk është një jetë që meriton të quhet jetë, por është mbijetesë. Mbijetojnë shqiptaret dhe shqiptarët në të gjitha zonat e fshatit, në të gjitha qytetet e vogla, mbijetojnë përmes pamundësisë për të blerë ushqimet, që shtrenjtohen dita-ditës dhe pamundësisë për të nxjerrë nga toka prodhime që dikur toka e të parëve tanë i nxirrte dhe i eksportonte në Itali. Sot, gjysma e tokave është djerrë”, - tha Rama. Tri ditë më parë, kreu i PS-së iu rikthye sërish turit “Dialog me Shqipërinë”, duke e lënë pezull atë për shkak të akuzave të lëshuara nga Kryeministri Berisha. Kryeministri e akuzoi Ramën se duke u marrë me turin e PS-së nuk merrej me punët e bashkisë, Kjo e detyroi kreun e PS-së që për një javë rresht të pezullonte turin si kryetar i PS-së dhe të merrej me punët e bashkisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›