E Shtunë, 31 Tetor 2026

LRI në Gjirokastër, fushatë për pastrimin e ambienteve të kulturës

Të rinjtë e LRI së Gjirokastrës, kanë ndërmarrë një iniciativë origjinale me rastin e ditës ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës. Mjaft prej tyre të organizuar nga kreu i LSI-së së Gjirokastrës Genc Sinoimeri, kanë ndërmarrë një fushatë për pastrimin e ambienteve të jashtme dhe të brendshme të shtëpisë së Skëndulatëve, një prej godinave më të bukura të dekoracionit muzeal në qytetin e Gjirokastrës e cila ndodhet në zonën historike të qytetit në lagjen Palorto. Aksioni i pastrimit ka startuar në mesditë për të përfunduar në orët e vona të mbasdites duke e shndërruar objektin tri katësh të pabanuar si pasojë e amortizimit, në një vend të soditshëm. Kryetari i LSI për Gjirokastrën Genc Sinoimeri, është shprehur për gazetën SOT se kjo iniciativë është një veprim qytetar në mbështetje të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore botërore pjesë e të cilës prej kater vjetësh është edhe vetë Gjirokastra. Apeli për pushtetin vendor dhe atë qëndror, është shumë i qartë, ruani këtë ansambël vlerash të papërsëritshme ku çdo qytet në çdo vend të botës, do të donte ti kishte-është shprehur Sinoimeri. Askush nga Bashkia e Gjirokastrës apo dhe institucione kulturore rajonale, nuk është kujtuar sot të kthejë një herë të vetme kokën nga këto godina që rënkojnë përditë, është shprehur Sinoimeri duke shtuar se të dy këto pushtete duhet të kontribuojnë në përmirësimin dhe ruajtjen e banesave në zonën historike. Nuk është hera e parë që LSI e Gjirokastrës, ndërmerr iniciativa të ngjashme të cilat kanë në thelb sensibilizimin për ruajtjen e zonës historike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›