E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Dështimi i zgjedhjeve të 28 qershorit, fatalitet për demokracinë shqiptare

Kreu i LSI kërkon bashkëpunim për daljen nga kriza e kartave
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta menjëherë pas kryesocialistit Edi Rama ka shprehur vullnetin e tij për të bashkëpunuar me mazhorancën dhe gjithë forcat e tjera opozitare. Gjithashtu, me OSBE/ODIHR-in dhe faktorin ndërkombëtar, me shoqërinë civile që merret me të drejtat e njeriut, zgjedhjet dhe demokracinë në Shqipëri, në mënyrë që të mos e dështojmë procesin zgjedhor të 28 Qershorit. Ne besojmë se në rast se ekziston vullneti nga të gjithë palët, padyshim që zgjedhjet e 28 Qershorit mund ti arrijnë standardet që meriton një vend për të qenë anëtar i NATO-s, u shpreh Meta,duke shtuar se por, në rast se çdo ditë që kalon do të investohet për të akuzuar secila palë tjetrën, kjo do të ishte e dobishme, dhe pavarësisht se qeveria ka përgjegjësinë kryesore, janë fajtore për atë që kanë gatuar me Kodin Zgjedhor, sepse situata e sotme është një produkt i atij Kodi që u miratua në atë mënyrë. Meta i ka kërkuar qeverisë që të marrë vendim të qartë për shpërndarjen falas të kartave të identiteti dhe njëkohësisht i ka kërkuar edhe për të gjetur mënyra të tjera, qofshin këto edhe nëpërmjet një logjistike të lëvizshme, që të lehtësojë mundësinë e aplikimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit. Ai theksoi se të gjithë duhet të marrin përgjegjësi për të shpëtuar zgjedhjet dhe LSI është e gatshme, në mënyrën më konstruktive për të kontribuar menjëherë dhe pa humbur asnjë sekondë kohë. Një dështim i zgjedhjeve të 28 Qershorit do të ishte një fatalitet për demokracinë shqiptare, do të ishte një turp i madh për të gjithë kombin tonë, do të ishte dhe një njollë që do ti vinim aleancës më të madhe të lirisë, asaj të NATO-s, e cila na pranoi vetëm pak ditë më parë, u shpreh Meta. Ai i ka kërkuar të gjitha forcave politike, të mos tallen më me zgjedhjet e Shqipërisë, sikurse sipas tij kanë bërë deri tani. Është përgjegjësi e tyre situata aktuale, të cilën ne e paralajmëruam që kur ata talleshin me Kodin Zgjedhor dhe situata e sotme është produkt i atij Kodi të papërgjegjshëm dhe jo transparent, i cili u vonua jo më kot, por qëllimisht për gati dy vite nga ata që e bënë, tha Meta. Ndërkohë që theksoi se, pavarësisht nga të gjitha këto është momenti që koha që ka mbetur deri në 28 Qershor të përdoret dhe të investohet për të arritur standardet, dhe jo për të shkatërruar procesin. Së fundi i pyetur për interesin e mediave, nëse do ti bashkohet protestës së PS në qoftë se qeveria nuk heq taksën e votës, Meta u shpreh se ne mendojmë se zoti Rama duhet ta kishte parasysh, që kur bëri Kodin me Berishën që kartat duhet të jepeshin falas. Megjithatë, ne na vjen mirë që ai iu bashkua qëndrimit tonë që kartat duhet të jepeshin falas. Meta shprehu rëndësinë e bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar dhe OSBE/ODIHR-in, duke theksuar se ky i fundit nuk duhet ti shmanget krizës së tanishme zgjedhore që po afron në Shqipëri.  Sepse, tha Meta, edhe OSBE/ODIHR ka qenë pjesë e bërjes dhe e miratimit të atij Kodi. Ne nuk mendojmë që bashkëpunimet Berisha-Rama mund të sjellin standarde më të mira për zgjedhjet në Shqipëri, u shpreh Meta, duke shtuar se po të ishte për të sjellë standarde më të mira në Shqipëri, do të kishin sjellë edhe për gjyqësorin, edhe për reformat në drejtësi, do të kishin sjellë për çështjen e zgjedhjeve. Ai theksoi se është e rëndësishme që të ketë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, ku faktori ndërkombëtar duhet të luajë një rol të rëndësishëm. Ne, për fat të keq, dështuam, tha Meta. Sipas tij,faktori ndërkombëtar duhet të angazhohet dhe për një arsye tjetër, sepse Shqipëria tani është dhe anëtare e NATO-s. Dhe, një dështim i zgjedhjeve në Shqipëri, tha Meta, nuk është vetëm një dështim i Shqipërisë, është dhe një dështim për imazhin e NATO-s, është një problem më shumë për politikën e zgjerimit të NATO-s në të ardhmen dhe për suksesin dhe kredibilitetin e kësaj politike. Gjithashtu, Meta tha se është fatale edhe për ne, sepse Bashkimi Europian e ka bërë të qartë se do të vlerësojë aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat në varësi të suksesit ose të dështimit të zgjedhjeve të ardhshme. Gjithë këto mesazhe janë kaq të qarta. Unë nuk e kuptoj pse duhet të humbasim edhe një sekondë apo një minutë kohë më shumë për të fajësuar njëri-tjetrin, kur dëmi do të jetë shumë i madh për të gjithë shqiptarët, përfundoi Meta.

Last Updated on Sunday, 19 April 2009 10:10

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›