E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët përgatiten për sabotimin e zgjedhjeve, Rama do i kthehet protestave

Pas bojkotit, Rama letër Berishës për shpërndarjen e kartave falas
Edi Rama nga dita në ditë po kthen procesin zgjedhor në Shqipëri si një mision të pamundur për tu realizuar. Kryesocialisti në harkun kohor të dy ditëve ka shpalosur disa qëndrime të ndryshme përsa i përket termit bojkot dhe termit protestë për karata e identitetit. Pasi sabotoi në mënyrë të qëllimshme pajisjen e qytetarëve me karat identitet,i duke ju dhënë njerëzve  shpresën e ndarjes së këtyre kartave falas, Edi Rama po demonstron se çështja e letërnjoftimeve është thjesht një alibi për të sabotuar zgjedhjet. Nga dita e enjte deri ditën e djeshme kryesocialisti Rama ka demonstruar para shqiptarëve luhatje në qëndrimin e PS në lidhje me bojkotin dhe protestat. Nëse ditën e enjte në parlament,  nëpërmjet deputetëve të tij, paralajmëroi bojkotin dhe protestat masive, të nesërmen u tërhoq duke i shtrirë dorën e bashkëpunimit Sali Berishës, për tu tërhequr disa orë më vonë nëpërmjet mediave të tij revolucionare, duke lajmëruar protestat fuqishme për kartat.Edhe ditën e djeshme nëpërmjet letrave të hapura të tij, tipike të kohës që lamë pas, Edi Rama kërkoi nga Sali Berisha pajisjen me karta duke paralajmëruar protesta nëse nuk merren masa. Pra kemi një qëndrim të dyshimtë të Edi Ramës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, një qëndrim që mesa duket do të jetë identik me atë qëndrim të mbajtur për zgjedhjet e pushtetit lokal në vitin 2006. Tashmë sabotimi i zgjedhjeve është ndërmarrë nga Edi Rama. KZAZ nuk janë kompletuar me komisionerë, PS ka frikë të shpallë kandidaturat dhe kreu i socialistëve paralajmëron protesta.
Letra e Ramës për Berishën
Pikërisht ditën e djeshme  kryesocialisti Rama i gjunjëzohet kryeministrit Berisha nëpërmjet një letre, duke i kërkuar të heqë taksën e votës. Në këtë letër drejtuar kryeministrit, Rama shprehet se taksa e votës që qeveria ka vendosur është jo vetëm arbitrare, por shkon kundër parimeve të shenjta të lirisë dhe cënon të drejtën themelore të njerëzve për të zgjedhur. Sipas tij, të vendosësh një taksë për votën, do të thotë të njollosësh vendin tonë në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Asnjë qeveri e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, nuk i detyron shtetasit e saj të paguajnë për të pasur mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre të votës. Asnjë qytetar i vendeve anëtare të NATO-s nuk paguan për të votuar, vijon kreu i opozitës në letrën drejtuar Berishës. Rama thekson se taksa a votës, përcjell jo vetëm një frymë anti-demokratike në Shqipëri, por edhe një mesazh të gabuar tek partnerët tanë ndërkombëtar në këtë moment kaq të rëndësishëm, kur Shqipëria duhet të provojë me zgjedhje absolutisht të lira e të ndershme se e meriton besimin dhe mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme. Taksa a votës nuk është një çështje politike. Taksa a votës është një çështje parimore, nënvizon Rama, duke theksuar se çdo shqiptar e shqiptare, pavarësisht nëse jeton në qytet apo në fshat, nëse është i varfër apo i pasur, nëse është i punësuar, pensionist apo i papunë, duhet të ketë mundësinë për të ushtruar të drejtën e votës.  Duke iu drejtuar kryeministrit, Rama i bën thirrje se Shtetasit e Republikës tonë nuk duhet të paguajnë për të qenë të lirë. Dëgjojeni Zoti Kryeministër sa sështë vonë zërin e arsyes së popullit sovran dhe adresojeni sa sështë kapërcyer kufiri i fundit kohor këtë problem, duke hequr taksën e votës e duke çliruar zgjedhjet nga zgjedha e pamundësisë ekonomike të qindra mijëra njerëzve për ta paguar këtë taksë absurde, shprehet Rama. Ai thekson se kjo është një e drejtë që qytetarët nuk mund ta blejnë dhe as një shërbim që qeveria duhet ta shesë. Qeveritë të cilat kufizojnë të drejtën a shtetasve të tyre për të votuar, janë qeveritë autoritare të së shkuarës, shprehet Rama. Kryesocialisti thekson se Shqipëria, si një shtet anëtar në NATO dhe aspirues për të qënë pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të respektojë qytetarët e saj dhe të drejtat e tyre. Kjo nyje duhet zgjidhur pa humbur kohë, që të kemi zgjedhje. Sot, më shumë se kurrë, është e nevojshme që qeveria shqiptare të marrë një vendim të drejtë, për të bërë të mundur zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, apelon Rama.
  Cërrik, Rama: Qytetarët nuk kanë para të paguajnë taksën e votës
 Program i ri qeverisës i Partisë Socialiste është prezantuar edhe në qytetin e Cërrikut, nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama shoqëruar dhe nga hartuesit e këtij programi. Duke u gjendur në një qytet të varfër siç është Cërrriku Rama është ndalur në kapitullin e çështjeve sociale, duke vënë theksin në domosdoshmërinë e nxitjes së punësimit, dhe nxjerrjen nga skema e vegjetimit dhe e varfërisë të të gjithë atyre që kanë vullnetin dhe janë të aftë të kontribuojnë me punë për shoqërinë dhe komunitetin. Thuhet nga shifrat zyrtare se që një familje të jetojë normalisht, ka nevojë për 69 mijë lekë në muaj. Një familje e varfër, e pa punë, në ndihmë ekonomike, merr vetëm 3 mijë e 500 lekë në muaj, u shpreh Rama, duke shtuar se ne nuk mund ta tolerojmë më tutje këtë situatë dhe do të bëjmë çmos që kjo situatë të ndryshoj, nga një lëmosh që i jepet për të gjithë atyre që janë të varfër e të papunë, ta kthejmë në një mundësi për punësim të të gjithë atyre që duan të jetojnë me punë të ndershme dhe janë të gatshëm që të kontribuojnë me punë për komunitetin dhe shoqërinë. Duke shfletuar kapitullin e shëndetësisë Rama është ndalur tek pamundësia e gjysmës së popullsisë sot për sot për të siguruar shërbimin e duhur shëndetësor për shkak të mosqenies në skemën e sigurimeve shëndetësore. Rama theksoi se të gjithë do të kenë mundësinë e shërbimit shëndetësor, pavarësisht nëse janë të siguruar apo jo. Më shumë se gjysma e popullsisë së vendit, për shkak të varfërisë dhe të pamundësisë për të paguar sigurimet shëndetësore, të jetë tërësisht e pambrojtur dhe ta ketë tërësisht të pamundur të marrë shërbimin shëndetësor, tha Rama, duke vijuar se ne për këtë arsye, do ta reformojmë rrënjësisht shërbimin shëndetësor, dhe nga një shërbim shëndetësor i mbështetur te sigurimet, do ta kthejmë në një shërbim shëndetësor universal, për të gjithë popullsinë. Në këtë mënyrë asnjë njeri në çfarëdo moshe, për shkak të varfërisë nuk do të mbetet pa shërbimin shëndetësor. Kryesocialisti Rama u ndal tek premtimet në këtë prag fushate, duke theksuar fort se projekti i ri i socialistëve për qeverisjen e vendit është një projek i zbatueshëm, dhe jo një thes me premtime thjesht për të marrë votat. Nuk do të premtojmë atë që nuk bëhet, por do të bëjmë çdo gjë që do të premtojmë, u shpreh ai. Programi i ri qeverisës  i PS është një instrument që do të nisë nga zbatimi të nesërmen e fitores, theksoi Rama duke shtuar se ky program është ngritur përgjatë një konsultimi dy vjetor me njerëzit, ku qytetarët janë kontributorë direk të këtij programi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›