Shkodër, Axhemi: LSI kundër ngritjes së Centralit Bërthamor

LSI nëpërmjet Nënkryetarit të saj, Sokol Axhemi ka mbajtur qëndrim për planin e ndërtimit të Centralit Nuklear në Shkodër. Axhemi ka deklaruar se Shkodra nuk i përket politikës dhe fjalën e tyre duhet ta thonë ekspertët, intelektualët dhe vetë njerëzit. Fjala e tyre në radhë të parë duhet thënë për Shkodrën, u shpreh Axhemi, duke shtuar se nuk ka rëndësi politika kur bëhet fjalë për të ardhmen e rajonit tonë. Axhemi ka deklaruar gjithashtu se në një kohë që ne presim që nga qeveria dhe pushtetarët të bëhen hapa që ndikojnë në punësimin e njerëzve, njihemi me projekte të cilat janë në dëm të interesave të qytetarëve.
Në të njëjtën kohë ka reaguar edhe deputeti Gilman Bakalli tanimë me Polin e Lirisë, duke u shprehur se ne po kalojmë nga shpërthimi i depove në 97-tën dhe Gërdeci në Central Bërthamor dhe patjetër që kush mund të na bindë se kemi kushte sigurie për këtë element të madh që kërkon pikërisht siguri të veçantë. Sipas Bakallit, ka një impakt të keq në turizëm dhe ekologji dhe sidomos në Shkodër, Kjo është e pa pranueshme, u shpreh ai, duke vijuar kundërshtinë e tij sikur edhe në Tropojë të vendosej të ndërtohej Centrali, përsëri do të kundërshtoja. Ai ka shprehur shqetësimin e tij se është një problem i madh se ku do të strehohen skorjet të këtij Centrali Bërthamor, problem ky për të gjitha vendet e mëdha perëndimore. Kundra është shprehur edhe kreu i PSV-91, Petro Koçi dhe nga PS-ja e Shkodrës priten të mbahet qëndrim ndaj këtij projekti. Por në Shkodër kanë dalë shumë fletushka kundër Centralit dhe po ashtu po përgatitet një zhvillim i madh me shoqata dhe parti të ndryshme që kundërshtojnë projektin më të madh energjetik, kësaj radhe bërthamor në Shqipëri, dhe me sa duket ky është vetëm fillimi. Disa shoqata studentore dhe ekologjiste, por edhe shumë të tjera jo me drejtim ekologjik, kanë filluar bashkimin për të kundërshtuar ndërtimin e Centralit në Shkodër dhe dy janë mënyrat që kanë vendosur deri tani. E para është propozimi për referendum rajonal dhe e dyta, që po merr më krah, është që të pengohet me çdo kusht, ndërtimi i këtij Centrali Bërthamor. Para dy ditësh qëndrim absolut kundër ngritjes së këtij Centrali Bërthamor ka mbajtur edhe kryetari i Partisë së Gjelbër, Edlir Petanaj, i cili zhvilloi një takim me studentët e Universitetit të Shkodrës Luigj Gurakuqi. Ai iu shprehu garancinë atyre dhe se Partia e Gjelbër do të ndërmarrë të gjitha iniciativat politike për të mos lejuar ndërtimin e një Centrali Bërthamor jo vetëm në Shkodër por në të gjithë Shqipërinë. Partia e Gjelbër proteston. Ne e duam vendin tonë dhe nuk mund të lejojmë shkatërrimin e tij, duke e kthyer në kosh mbeturinash radioaktive, është shpreh Petanaj, duke theksuar se kjo politikë e mbrapshtë duhet të marrë fund në emër të jetës, të së ardhmes dhe të fëmijëve tanë. Petanaj i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që duan të jetojnë në një Shqipëri të Gjelbër ti bashkohen zërit të tyre të protestës.
Last Updated on Sunday, 19 April 2009 10:06
Last Updated on Sunday, 19 April 2009 10:06