E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSHK kërkon që Adem Demaçi të zgjidhet president

Nga Express më 06 prill 2011 në ora 20:50

Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës i bashkohet opinionit demokratik për zgjedhjen e Adem Demaçi president i Republikës së Kosovës dhe fton institucionet e vendit të gjitha subjektet politike e organizatat shoqërore që ta mbështesin këtë opinion legjitim demokratik.

“Shkrimtari dhe intelektuali Adem Demaçi është personaliteti më i shquar historisë së re të Kosovës. Demaçi është intelektual i përmasave historike dhe i vizioneve të lirisë kombëtare e universale. Që nga vitet ’60 i shekullit 20 ai ishte në ballë të ngjarjeve historike në pjesën e pushtuar të Atdheut”, thuhet në një komunikatë për media.

Duke përkujtuar se për meritat e jashtëzakonshme dhe flijimet sublime Demaçi është lauruar me Çmimin Saharov të Parlamentit Evropian, është shpallur hero i Kosovës, doktor nderi i Universitetit të Prishtinës, LSHK propozon që Adem Demaçi të vihet në ballë të Republikës së Kosovës, pasi konsideron se në këtë çast është figura politike e kombëtare që do të japë ndihmesën e pritur për vendin.

“Adem Demaçi është figurë e merituar për këtë institucion kaq të rëndësishëm shtetëror. Në këtë moment të ndjeshëm politik të Republikës së Kosovës i duhet shumë një figurë e këtillë emblematike. Ai është vetë njeriu që mund ta përfaqësojë popullin dhe shtetin e ri të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Ndryshe, Adem Demaçi është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›