Regjistrohen gjysmë milioni
Në ditën e pestë të regjistrimit të popullsisë, ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar dhe kryeshefi ekzekutiv i Entit të Statistikave të Kosovës, Ibrahim Shabani, kanë parë nga afër procesin e regjistrimit te Familja Kurteshi në Prishtinë, me ç’rast kanë vlerësuar se ky proces po shkon mirë dhe në mënyrë të rregullt.
Mbarëvajtja e procesit të regjistrimit ditën e martë nga drejtuesit e institucioneve është bërë në familjen e të moshuarve Reshat dhe Myrvete Kurteshi, në rrugën “Zija Prishtina”, përkatësisht në pikën 44 të regjistrimit në Prishtinë. Ministri Jagxhillar ka thënë se ky proces po shkon ashtu siç është paraparë, por shprehu nevojën e një sensibilizimi edhe më të madh te qytetarët rreth regjistrimit. “Besojmë që procesi i regjistrimit është në një ecje të duhur.
Por, prapë më shumë duhet të sensibilizojmë, të bashkëpunojmë dhe t’i tregojmë popullatës dhe qytetarëve të Kosovës se regjistrimi është një çështje e rëndësishme, një projekt shtetëror aq edhe një projekt i gjithë qytetarëve të Kosovës, sepse me grumbullimin e të dhënave të sakta dhe të dhënave të besueshme, mund të krijohet një pasqyrë për të ardhmen”, ka thënë ai.
Sipas tij, me regjistrim do të bëhet një planifikim më i mirë edhe nga aspekti socio-ekonomik dhe në atë demografik. I pyetur të shpjegojë arsyet e mosregjistrimit të fëmijëve (nën moshën 1 vjeçare) që kanë lindur në Kosovë dhe tani janë jashtë, Jagxhillar tha se kjo nuk paraqet ndonjë problem, pasi plotësohet më vonë sipas ligjit për banorët rezidentë.
Nga ana tjetër, kryeshefi i Entit të Statistikave të Kosovës, Ibrahim Shabani është shprehur i kënaqur me ecurinë e procesit të regjistrimit të popullsisë, duke thënë se ky proces është duke shkuar sipas planifikimeve. I pyetur se deri në ditën e pestë sa banorë janë regjistruar, Shabani nuk ka dhënë shifra të sakta, por pohoi se afërsisht janë regjistruar gjysmë milioni banorë.