LSI: Berisha dështoi me ekzekutimin e vendimeve
Zv.sekretarja e Përgjithshme e LSI-së, Brizida Gjikondi, akuzoi dje Kryeministrin Berisha për përpjekjen e tij për privatizimin e Përmbarimit. Sipas saj, ministri i Drejtësisë së fundmi në reformat e tij agresive ka përfshirë dhe sistemin e Shërbimit Përmbarimor. “Ministri ka konceptuar dhe depozituar pranë qeverisë shqiptare një p/ligj, me anë të së cilit kërkon që Shërbimi Përmbarimor në Shqipëri të shndërrohet në një shërbim privat. Ky p/ligj rivërteton dështimin total të Kryeministrit Berisha jo vetëm në lidhje me premtimet, që ai dha në 2005-ën, se brenda 2 viteve të qeverisjes së tij do të ekzekutoheshin të gjitha vendimet gjyqësore të formës së prerë, por dhe ambiciet e tij monopolizuese me një hallkë tjetër decizive të sistemit gjyqësor”, tha Gjikondi. Sipas saj, Kryeministri Berisha duhet të pranojë botërisht se në sirtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit në Ministrinë e Drejtësisë ka me mijëra vendime të pa ekzekutuara.