PS, prokurorisë: Heto për skandalin e Durrës-Kukës
Partia Socialiste i bëri thirrje dje Prokurorisë së Përgjithshme që të mos heshtë përballë shkeljeve të qeverisë për tunelin e Thirrës. Referuar dokumentit që vërteton se tuneli do të mbarojë vetëm në mes të vitit 2010, deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, vuri në dukje se të nxitur nga ethet elektorale dhe për qëllime krejt politike dhe aspak publike, qeveria shqiptare, në kundërshtim, me çdo lloj rregulli në punime të tilla, ka marrë në dorëzim për hapje të përkohshme tunelin e pjesës veriore, dhe bashkë me të edhe çdo përgjegjësi për atë që mund të ndodhë në këtë tunel, duke e zhveshur kompaninë ndërtuese nga çdo përgjegjësi. "Marrja në dorëzim para kohe e një vepre të pambaruar dhe në kushte teknike jo të plota, përbën një burim rreziku për publikun, si dhe kosto shtesë financiare të cilat nuk gjejnë asnjë justifikim publik, duke përbërë në thelb një shpërdorim të pastër të detyrës. Për më tepër ,të gjithë jemi dëshmitarë të incidenteve të ndodhura edhe në pjesën e hapur të tunelit që ishte marrë në dorëzim nga qeveria shqiptare, por që asnjëherë nuk u bënë publike se cilat janë shkaqet dhe përgjegjësitë", tha ai. Nga ana tjetër, Gjiknuri shtroi një tjetër shqetësim, atë që publikut po i fshihet edhe informacioni i fundit për dëmet e shkaktuara nga shembja.