E Diel, 1 Nëntor 2026

"Nabucco", më me leverdi se konkurrentët

Drejtori i gjigantit gjerman të energjisë RWE deklaroi së fundmi se sipas analizës së tij, projekti i gazsjellësit "Nabucco" është "opsioni më i lirë" për prodhuesit e gazit në zonën e Kaspikut si mjet transportimi për në Europë. RWE tha se kishte krahasuar të dhëna publike nga projektet rivale, Rryma e Jugut, Interkonektori Greqi-Turqi dhe Gazsjellësi Trans-Adriatik dhe kishte vërejtur se "Nabucco" ofron përfitime shumë më të mëdha.

"‘Nabucco‘ i jep prodhuesve të Kaspikut fitimet më të larta të mundshme për gazin që pritet të eksportojnë, ndërsa ky projekt është shumë më i sigurt si rrugë transporti", tha Stefan Judisch, drejtor i furnizimeve dhe tregtisë në kompaninë gjermane. "Shifrat tona e nxjerrin qartë se projekti ‘Nabucco‘ është më i liri nga të gjitha projektet e Korridorit Jugor në kuptimin e kostos së transportimit të gazit për në Europë", tha ai.

Kjo deklaratë erdhi në të njëjtën kohë kur Sllovenia u bë vendi i fundit europian që nënshkroi me Moskën marrëveshjen për Rrymën e Jugut. Pas marrëveshjes me Slloveninë, Rusia duket se e ka siguruar të gjithë rrugën detare dhe tokësore për projektin e vet. Megjithatë, ekspertët thonë se këmbëngulja e Moskës për Rrymën e Jugut është thjeshtë politike sepse "Nabucco" ofron tarifa 40-73 për qind më të lira, ndërkohë që gazi mund të mbërrijë në treg 10-27 për qind më lirë. Rryma e Jugut synon të kalojë nën Detin e Zi për të lidhur Rusinë e Bullgarinë, gjë që e bën shumë të shtrenjtë ndërtimin, ndërkohë që "Nabucco" kalon nga Azia Qendrore përmes Turqisë dhe Ballkanit në një rrugë tërësisht tokësore. Rusia dëshiron të mbajë peshën kryesore në furnizimin e Europës me gaz, ndërkohë që Brukseli dëshiron një linjë të re krejtësisht larg ndikimit të Rusisë. Disa prej këtyre projekteve do të prekin edhe Shqipërinë në të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›