E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre nga oficerët nuk e dinin që ndiqnin Dajtin

 

Trazhgim Sokolaj.

Tre nga oficerët e vrarë nga Dritan Dajti gjatë shkëmbimit të zjarrit më 7 gusht në afërsi të plazhit në Durrës, nuk e njihnin të kërkuarin dhe nuk ishin në dijeni të personit që po ndiqnin. Hetimet e prokurorisë kanë zbuluar se vetëm komandanti i skuadrës së operacioneve speciale GOS, Fatos Xhani, ishte në dijeni të identitetit të personit që po ndiqej. Sipas hetimeve, komandanti i skuadrës kishte mbërritur para oficerëve të tjerë në vendin e ngjarjes. Pasi ka mbërritur nga Rrogozhina në Durrës, Dajti është afruar në lagjen pranë vendstrehimit të tij dhe në rrugicat e kësaj zonë po kërkonte vendparkimi për mjetin. Ai ka bërë një lëvizje në zonë dhe pasi nuk ka gjetur parkim, është kthyer përsëri në vendin ku vrau efektivat e policisë. Lëvizjet e mjetit ishin pikasur nga Fatos Xhani, i cili ka zënë pozicion disa metra para vendparkimit ku ndaloi Dajti. Fuoristrada ka ndaluar me pjesën e pasme të saj në drejtim të kryqëzimit, fare pranë një furgoni që ndodhej para saj, në një distancë një metër nga muri. Në momentin që makina ka ndaluar, kur prej saj kanë dalë tre persona, Fatos Xhani u ka dhënë urdhër të afroheshin efektivave që kishte në aksion, të cilët ishin pozicionuar në rrugicën tjetër. Tri makinat e agjentëve të tjerë kanë dalë nga rrugica ngjitur dhe kanë hyrë në kryqëzimin pranë të cilit ndodhej Dajti. Ato kanë ndaluar njëra pas tjetrës diagonal me qëllim për t’i bllokuar rrugën të kërkuarit, i cili para makinës kishte një furgon që pengonte lëvizjen e mjetit. Në këtë kohë, Fatos Xhani është shkëputur nga pozicioni i tij duke ecur drejt makinës së Dajtit. Ai fillimisht ka dalë para mjetit, më pas ka hyrë mes fuoristradës dhe murit duke ndaluar tek dera e shoferit. Oficeri ka hapur derën e shoferit dhe më pas me dokumentin e policisë në njërën dorë dhe armën në dorën tjetër, i është drejtuar Dajtit me fjalët: Ndal, policia! Dajti i ka drejtuar armën në fytyrë, por oficeri është shmangur. Ai ka mbyllur derën e përparme të mjetit duke lëvizur kokën në të djathtë si dhe duke bërë dy hapa para. Xhani ka dalë tek dera e pasme e mjetit, por Dajti ka qëlluar nga brenda mjetit dy herë pa hapur xhamin që është thërrmuar nga plumbat. Komandanti i skuadrës GOS është rrëzuar përtokë ndërsa Dajti ka hapur derën e djathtë të pasagjerit për të dalë nga makina. Aty i kishte zënë prite Sajmir Duçkollari, i cili ndodhej me motor në krah të makinës së policisë, që kishte ndaluar ngjitur me mjetin e Dajtit. Ky i fundit sapo ka parë efektivin e policisë që i kish zënë rrugën, është kthyer në makinë duke mbyllur derën. I kërkuari ka dalë nga dera që ndodhej mes murit dhe automjetit, aty ku kishte vrarë Fatos Xhanin. Me dy pistoleta në duar Dajti ka marrë drejtimin e kryqëzimit. Miqtë e tij kishin dëgjuar krismat dhe kanë tentuar të shpërndahen. Kastriot Feska është vënë pas personit të katërt, e ka arritur atë dhe e ka shtrirë përtokë. Ndërkohë Dajti ka qëlluar disa herë me armë drejt Altin Dizdarit që ndodhej në kryqëzim, por një plumb ka prekur edhe Ledion Marën. Dizdari po ndiqte Erges Xhoxhin që kishte marrë drejtimin e kundërt nga rruga që shpie tek plazhi. Gjatë ndjekjes nga një efektiv policie, atij i ka rënë portofoli që është gjetur pranë kryqëzimit në vendin e ngjarjes. Pasi ka vrarë Dizdarin në kryqëzim, Dajti është nisur rrugës për tek banesa e tij, duke qëlluar plot gjashtë herë nga pas shpine Kastriot Feskën. I katërti që shoqëronte të kërkuarin është liruar nga duart e policit dhe ka ikur në një rrugicë pranë një kabine plazhi ku qëndronin disa pushues nga Kosova. Dajti ka tentuar të dalë në plazh, por në krye të rrugës, pranë banesës së tij tre agjentë të tjerë policie kishin zënë pritë. Njëri ka qëlluar me Kallashnikov, por arma është bllokuar në fishekun e parë. Dy të tjerët kanë qëlluar me pistoleta duke plagosur Dajtin, i cili në mungesë të fishekëve në pistoletat e tij (kishte qëlluar 17 herë nga të cilat 15 në shenjë) është rrëzuar përtokë.

GOS-i që ndiqte Dritan Dajtin

Sektori i Operacioneve Speciale, GOS, pjesë e të cilit ishin katër oficerët e vrarë nga Dajti, është krijuar në nëntor 2002. Kjo strukturë ka pasur karakter hetimor dhe jo operacional (ndërhyrës), pasi në Policinë e Shtetit në këtë kohë ishin krijuar disa sektorë me kompetenca e përgatitje të tillë operacionale. Njësia GOS e cila ndiqte Dajtin nuk ka kompetenca ndërhyrje, por vetëm vëzhgimi, veprime stimuluese dhe përgjuese. Deri në vitin 2002 kur kjo njësi u krijua me shembullin e policive të vendeve evropiane, shteti shqiptar nuk kishte një strukturë të tillë policore të specializuar për veprime hetimore si përgjimi, vëzhgimi dhe blerjet e simuluara.          

Autopsia: Dajti qëlloi Ledion Marën

Trazhgim Sokolaj

Dritan Dajti rrezikon akuzën e pestë për vrasje pas administrimit nga Prokuroria të akteve të autopsisë së katër oficerëve të policisë dhe Ledion Marës, të cilët mbetën të vdekur më 7 gusht në Durrës. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme, pohuan dje se Instituti i Mjekësisë Ligjore ka dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, aktet e autopsisë të kryera për katër oficerët e policisë, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feska, si dhe për Ledion Marën, person që ndodhej bashkë me Dajtin në makinë, por që mbeti i vdekur në vendin e ngjarjes. Sipas Prokurorisë të Përgjithshme, autopsia e viktimave ka sqaruar një moment enigmatik të ngjarjes, siç ishte vrasja e shtetasit Ledion Mara. Organi i akuzës citon raportin e autopsisë, duke thënë se i riu nga Lushnja, ka vdekur si pasojë e një plumbi që e ka goditur nga pas, në pjesën e shpinës, mbi veshka. Ky plumb sipas verifikimeve të mjekëve ligjorë, e ka daljen e tij në pjesën e sipërme të gjoksit të Ledion Marës, të cilit i ka dëmtuar rëndë organet e brendshme, duke i shkaktuar vdekjen. Prokuroria thotë se ballafaqimi i autopsisë së Ledion Marës me ekspertizën e predhave të qitura nga dy pistoletat që Dritan Dajti mbante në duar, ka zbardhur edhe mënyrën e vrasjes së të riut nga Lushnja. Sipas burimeve zyrtare nga grupi i hetimit, Ledion Mara është qëlluar gabimisht nga i shumëkërkuari Dritan Dajti, kur ky i fundit po shtinte me armë në drejtim të efektivit të policisë Altin Dizdari.  
Vrasja e Ledion Marës
Në kohën kur Ledion Mara është qëlluar me një plumb pistolete, Dritan Dajti kishte dalë nga makina e tij tip Fuoristradë “Tuareg”. Pasi kishte qëlluar Fatos Xhanin dy herë, në të majtë të makinës së tij dhe Sajmir Duçkollarin në krahun tjetër të vendit ku kishte parkuar, i kërkuari ka dalë nga mjeti duke ecur në drejtim të kryqëzimit mes makinës dhe murit që ndodhej aty pranë. Sapo ka dalë në kryqëzim, kur akoma ndodhej në trotuar, Dajti ka parë në anën tjetër të rrugës, diagonal me kryqëzimin një efektiv policie të armatosur. Në këtë kohë, mes Dritan Dajtit dhe efektivit të policisë (Altin Dizdari) ndodhej Ledion Mara. Ai kishte dalë nga makina para Dajtit dhe bashkë me Erges Xhoxhin dhe shoqëruesin e katërt të Dajtit, i cili ndodhej në hyrje të rrugës, që të çon tek apartamenti ku ka banuar i kërkuari pranë pistës “Iliria”. Duka mbajtur dy pistoleta në duar, Dritan Dajti shfrytëzon një moment kur Ledion Mara përkulet (pasi gjendej në shiun e plumbave), dhe qëllon disa në drejtim të Altin Dizdarit. Duke qëlluar drejt efektivit të policisë, Dajti gabimisht godet me një plumb Ledion Marën, i cili rrëzohet përtokë brenda pak sekondave. I ndodhur gjysmë i kërrusur në breshërinë e plumbave që fluturonin pranë tij prej të shtënave të policisë dhe Dajtit, Ledion Mara goditet nga një predhë në shpinë. Predha hyn në zonën e sipërme të veshkave dhe përshkon trupin deri mbi kraharor duke shkaktuar dëmtime të rënda të organeve jetësore.

Protesta në “Facebook” për  Ledion Marën: E vrau policia
TIRANE – Persona të prezantuar në internet si shokë e miq të 23-vjeçarit nga Lushnja, Ledion Mara, bënë akuza pak ditë pas ngjarjes se atë e kishte vrarë policia. Duke iu referuar shkëmbimit të zjarrit mes forcave të rendit dhe Dritan Dajtit, ku mbeti i plagosur ky i fundit, “fansat” e Ledion Marës, hapën një grup në rrjetin social “Facebook”. Ata bënë akuza në këtë faqe në internet, duke thënë se shoku i tyre ishte vrarë nga oficerët e policisë, që morën pjesë në aksionin për kapjen e Dritan Dajtit. Në këtë kohë hetimi nuk i kishte dhënë ende përgjigje kësaj pjesë të ngjarjes, pasi autopsia nuk kishte përfunduar. Po kështu në prokurori, nuk kishte mbërritur as akti i ekspertimit të gjurmëve të gjakut dhe armëve. Në fund të javës së kaluar, në prokurori janë administruar aktet e mjekëve ligjorë dhe verifikimet shkencore, të cilat më pas janë ballafaquar me shpjegimet e dhëna nga 35 dëshmitarë të ngjarjes. Ata kanë pohuar se sapo ka dalë në kryqëzimin që ndodhej pas vendit ku kishte parkuar makinën, Dritan Dajti ka parë në krah të majtë të tij, diagonal, efektivin e policisë Altin Dizdari, i cili në fakt ishte në ndjekje të Erges Xhoxhit, që kishte lëvizur në drejtim të kundërt me rrugën që shpie drejt plazhit. Dajti ka parë efektivin e policisë të armatosur dhe menjëherë ka ngritur dy pistoletat që mbante në duar në drejtim të tij. Por në këtë kohë, Ledion Mara po mundohej të largohej nga vendngjarja gjysmë i kërrusur. Ai ishte me shpinë nga Dritan Dajti në kohën kur ky i fundit ka derdhur disa plumba në drejtim të Altin Dizdarit. Njëra prej predhave ka goditur të riun nga Lushnja, i cili ka gjetur vdekjen disa minuta më pas në hyrje të rrugës që të shpie drejt banesës ku strehohej Dajti, mes zonës së plazhit dhe aksit kryesor të Plepave. Përkundër këtij versioni të formuluar ditët e fundit nga organi i akuzës, fansat e Ledion Marës në “Facebook” kanë deklaruar se japin 20 mijë euro shpërblim për ata persona që u sigurojnë emrin dhe fotografinë e policit që ka qëlluar mikun e tyre. Deklarime të tilla në internet u monitoruan nga policia, e cila referoi kallëzim në Prokurori, por kjo e fundit vendosi të mos fillojë procedim penal.                    tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›