E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalistët: Busti i mbretit Zog të vendoset në Tiranë

 

BURREL/ HASAN PASHA

Vetëm pak kohë pas vendosjes së shtatores së Mbretit Zog në qendër të Burrelit shtohet oreksi i legalistëve matjanë. Ata kërkojnë që një shtatore tjetër, kuptohet në përmasa më të mëdha, duhet të vendoset në Tiranë, duke vënë në dijeni publikisht dhe me anë të letrave zyrtarë të lartë. Legalistë të njohur matjanë, kryesisht nga komuna Lis, vendlindja e Ahmet Zogut, kanë shigjetuar drejtuesit vendorë dhe ata të qendrës së PLL-së, duke shkruar në letrën e tyre të hapur se, vendosja e bustit të Ahmet Zogut në Mat nuk është zgjidhje e duhur. “Ahmet Zogu, - shprehet Kadri H. Ruçi, - nuk ka qenë mbret vetëm për Matin. Ahmet Zogu u bë ministër në Tiranë, kryeministër, president dhe mbret po në Tiranë. Ka shërbyer për 14 vjet Mbret i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Tirana është e gjithë shqiptarëve. Vendosja e bustit të Ahmet Zogut në Tiranë është e drejta e shqiptarëve”. Legalistët e Burrelit thonë se Berisha foli mjaft mirë në përurimin e bustit në këtë qytet, në fillim të muajit korrik, por sipas tyre ai duhet të mendonte për vendosjen e një shtatoreje më madhështore në qendër të Tiranës. “Populli shqiptar, ata që e kanë dashur Mbretin për së gjalli, duhet ta respektojnë dhe të vdekur. Mbreti Zog ka punuar për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar. Me ligj të shtetit dhe me Kanun të Lekë Dukagjinit busti i Ahmet Zogut i takon të vendoset më parë në Tiranë e pastaj në Mat”, thonë një grup legalistësh matjanë që kërkojnë një vlerësim më të madh për “liderin” e tyre, Mbretin Zog. Ata kanë vënë në dijeni për kërkesën e tyre krerët vendorë si dhe kryetarin e partisë së tyre. Ndërkohë prej vitesh legalistët e Matit kanë kërkuar nga autoritetet e vendit, qeveritë shqiptare, të mundësojnë kthimin e eshtrave të mbretit në vendlindje. “Eshtrat e Mbretit Zog duhet të prehen në atdheun e tij”, shprehen në mënyrë kategorike legalistët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›