LSI: Kriza ka prekur vendin, qeveria të sjellë urgjent në Parlament planin antikrizë
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Berisha se po përpiqen të mashtrojnë opinionin publik teksa deklarojnë që Shqipëria nuk është prekur nga kriza ekonomike globale. Meta tha se pasojat e krizës ekonomike në Shqipëri janë të pranishme dhe ndihen në falimentimin e qindra bizneseve në sektorë të ndryshëm si ndërtimet, konfeksionet, nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve, bizneset agropërpunuese etj. Sipas Metës, kriza ndihet gjithashtu në rënien e eksporteve dhe në zhvlerësimin e lekut. Për këtë arsye, kryetari i LSI-së i bëri thirrje qeverisë që të sjellë sa më shpejt në Parlament një program antikrizë, të cilit do t’i bashkohen edhe propozimet konkrete të LSI-së.
“Ndaj ne kërkojmë që qeveria të sjellë një plan dhe një program antikrizë sa më shpejt në Parlament, ku dhe ne do të bëjmë përsëri propozimet tona. Ne kërkojmë në mënyrë të veçantë që ky program antikrizë të nxisë kredidhënien për ato kompani që garantojnë punësim dhe njëkohësisht produkte për eksport. Ne kërkojmë që ky plan antikrizë të përmbajë lehtësira konkrete fiskale për kompanitë prodhuese të këtyre sektorëve dhe, njëkohësisht, ato eksportuese”, - tha Meta. Kreu i LSI-së kërkoi reagim të menjëhershëm nga ministri i Financave Bode dhe nga kryeministri Berisha. “Është momenti që Berisha dhe Bode të reagojnë sot për krizën dhe të heqin dorë nga qëndrimet e tyre megalomane dhe kokëforte se nuk ka krizë, sepse Shqipëria e pësoi njëherë nga çifti Berisha-Bode në kohën e piramidave, kur garantonin shqiptarët se paratë e tyre ishin të sigurta. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë më pse ta pësojnë nga Berisha dhe Bode sot kur të gjithë ndiejnë krizën dhe kur dëgjojnë dy përgjegjësit kryesorë për këtë situatë, kryeministrin dhe ministrin e Financave, të cilët nuk bien dakord në një mbledhje qeverie, përballë gjithë opinionit publik, për shifrën e saktë të rritjes ekonomike të vendit, që thonë të dy bashkë se nuk ka krizë”, - tha kreu i LSI-së Ilir Meta.
25 Shkurt 2009