Leskaj: “Qeverisja e ardhshme e PS-së do të përfundojë rrugën Durrës-Kukës”
Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj dhe kryetari i Komisionit të Integrimit pranë Asamblesë Kombëtare, Taulant Balla, pritën në një takim tre ministrat e qeverisë së Kosovës, përkatësisht; Fatmir Limaj, ministër i Transporteve; Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë dhe Financave; Lutfi Zhargu, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, si dhe ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Gazmend Pula. Pas takimit të zhvilluar, kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste tha ndër të tjera se qeverisja e socialistëve, pas 28 qershorit, do të mundësojë përfundimin e rrugës “Durrës-Kukës”, duke e transformuar rrugën e marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis Shqipërisë dhe Kosovës në një aks strategjik zhvillimi. “Ne ndjekim me vëmendje të veçantë dhe gëzim ecurinë e konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës. Vlerësojmë rolin e qeverisë kosovare, në zhvillimin e vendit dhe faktin që Kosova është kthyer në një faktor stabiliteti në rajon. Qeveria jonë, pas zgjedhjeve të qershorit, do të hapë një epokë të re në marrëdhëniet me Kosovën, duke ndërtuar me qeverinë Kosovës një partneritet strategjik dhe një proces bashkëpunimi të veçantë për integrimin europian dhe mirëqenien e popullit shqiptar në të dyja anët e kufirit. Ne jo vetëm do të përfundojmë rrugën ‘Durrës-Kukës’, por do ta transformojmë rrugën e marrëdhënieve tona politike dhe ekonomike, në një aks strategjik zhvillimi për të mirën e njerëzve tanë e të gjeneratave që vijnë”, - tha Leskaj. Ndërkohë, ministri i Transporteve të Kosovës, Fatmir Limaj, tha se populli kosovar mezi pret përfundimin e kësaj rruge të rëndësishme për të dyja vendet. “Ashtu siç tha edhe zonja Leskaj, Kosova mezi pret ta shohë të përfunduar rrugën, sepse nuk është rrugë vetëm në drejtim të Kosovës, por midis dy shteteve tona. Është rrugë rajonale, që do të ngrejë nivelin e marrëdhënieve tona ekonomike shumë më tepër se sa deri tani. Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri po futen në një fazë të re të zhvillimit të tyre dhe ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur që ky disponim ekziston në të gjithë politikën shqiptare. Këtë na e konfirmoi edhe zonja Leskaj”, - tha Limaj.
25 Shkurt 2009