PS-ja: Fondi i Sfidës së Mijëvjeçarit u jepet vendeve me korrupsion të lartë
Deputetët e Partisë Socialiste kanë debatuar dje gjatë diskutimit të marrëveshjes me qeverinë e SHBA-ve për Sfidën e Mijëvjeçarit, e cila synon financimin e projekteve që synojnë luftën kundër korrupsionit. Deputetët opozitarë janë shprehur se qeveria amerikane financon nëpërmjet këtij programi vendet ku niveli i korrupsionit është i lartë. “Më vjen keq që maxhoranca nuk e kupton ose bën sikur nuk e kupton që ky grant jepet për vende që kanë korrupsion, jo për ato që s'kanë korrupsion dhe kjo paketë ndihme është dëshmi e korrupsionit të lartë. Po të kishit sukses në luftën ndaj korrupsionit s'kishte nevojë sot. Vijimi i fazës së dytë të Sfidës së Mijëvjeçarit nuk është vlerësim apo dhuratë për qeverinë, siç u interpretua nga deputetët qeveritarë të maxhorancës, po është rrjedhë logjike dhe e një sërë monitorimesh dhe raportimesh të bëra nga DASH, nga shërbimet inteligjente amerikane dhe agjenci të tjera që monitorojnë proceset demokratike në Shqipëri”, - është shprehur kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Ndërsa zëvendëskryeministri Genc Pollo u shpreh se marrëveshja për realizimin e fazës së dytë të programit të pragut të Sfidës së Mijëvjeçarit kundër korrupsionit dëshmon sukseset dhe vullnetin e qeverisë shqiptare në luftën antikorrupsion. Ndërkohë, opozita, duke vlerësuar marrëveshjen, kritikoi qeverinë për qëndrimin mbrojtës që ajo po mban ndaj zyrtarëve të saj të akuzuar për korrupsion. “Maxhoranca qeverisëse është futur në një fushatë të ethshme, jo për të luftuar korrupsionin, por për të mbrojtur aferat korruptive”, - u shpreh kryetari i Grupit Parlamentar të PSD-së, Skënder Gjinushi. Por deputeti i PD-së, Pal Dajçi, duke replikuar me deputetin socialdemokrat, tha se “qeveria ka marrë vlerësime pozitive nga ndërkombëtarët në luftën antikorrupsion, gjë që dëshmon politikën e drejtë të ndjekur nga Ekzekutivi. Në Kuvend po na flasin kundër korrupsionit njerëz që deri dje kanë qenë sekserë të korrupsionit”. Projektligji për marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane parashikon përfitimin nga pala shqiptare të një granti me vlerë rreth 15 milionë dollarë, për realizimin e fazës së dytë të programit të pragut të Sfidës së Mijëvjeçarit, me objektiv strategjik luftën kundër korrupsionit.
Berisha takon Lange: “Objektivi i qeverisë, zgjedhjet e lira e të ndershme”
Kryeministri Berisha priti dje komisionerin për Zgjerimin, Dirk Lange. Gjatë bisedës kryeministri theksoi se puna e qeverisë është fokusuar tashmë në intensifikimin e përpjekjeve dhe reformave për të përshpejtuar plotësimin e të gjitha standardeve që kërkojnë hapat e mëtejshëm të integrimit europian të vendit. “Në këtë vit elektoral, objektivi kryesor i qeverisë është realizimi i zgjedhjeve konform standardeve ndërkombëtare. Për këtë qëllim po përfundon ndërtimi i infrastrukturës më të mirë zgjedhore përsa i përket realizimit të Kartave të Identitetit dhe Kodit Zgjedhor”, është shprehur Berisha. Kryeministri vuri në dukje edhe progresin e bërë në zhvillimin ekonomik të vendit, duke u ndalur në luftën e suksesshme kundër korrupsionit, në krijimin e një klime të favorshme për biznesin.
Gjykata Kushtetuese nis shqyrtimin e projektligjit për Gjyqësorin
Gjykata Kushtetuese mori dje në shqyrtim kërkesën e Shoqatës së Gjyqtarëve për shpalljen të pavlefshëm të dy neneve në projektligjin për Gjyqësorin. Shoqata e Gjyqtarëve pretendon se në ligjin për Gjyqësorin, pjesë e reformës për drejtësi, janë dy nene të tij që e vënë institucionin e Gjykatës në varësi politike. Kryetarja e Shoqatës së Gjykatësve kërkoi që këto nene të rrëzohen domosdoshmërisht. Manjola Bejleri tha se këto nene cenojnë rëndë pavarësinë e Gjyqësorit. “Në kontestojmë fuqimisht nenet 37 dhe 38, që kanë të bëjnë përkatësisht me emërimin e kancelarit nga ministri dhe neni 38 për mënyrën e hedhjes shortit të përcaktimit të gjyqtarëve që ndjekin proceset gjyqësore”, - është shprehur Bejleri për mediat. Ajo tha se Shoqata e Gjyqtarëve ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të hedhë poshtë këto dy nene të kontestuara, pasi hedhja e shortit nga kancelari i Gjykatës vihet në dyshim. “Kjo pasi ky i fundit, siç përcakton neni 37, është në varësinë e ministrit të Drejtësisë”, - është shprehur Bejleri.
12 Dhjetor 2008