E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Marrëveshja për kartat, PD-ja u tregua hileqare, PS-ja naive



Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur shqetësimin për ecurinë problematike të procesit të pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti. Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, tha se marrëveshja midis PS-së dhe PD-së për çështjen e kartave mund të konsiderohet plotësisht e dështuar. Sipas Priftit, në këtë marrëveshje Partia Demokratike u tregua hileqare, ndërsa Partia Socialiste naive. “Kjo marrëveshje e Partisë Socialiste me Partinë Demokratike dhe ky vendim qeverie që ka dalë prej kësaj marrëveshjeje është e dështuar sepse nuk po funksionon që qytetarët shqiptarë të pajisen me kartën e identitetit me çmimin 200 lekë. Procesi për të marrë këtë kartë është një proces shumë i ndërlikuar, i bërë, sigurisht, me hile nga Partia Demokratike dhe me naivitet nga Partia Socialiste, sepse që të marrësh me 200 lekë kartën e re të identitetit çdo shtetas duhet të paraqitet personalisht pranë zyrave të postës, pavarësisht moshës që ka, punës që ka etj. Duhet të paraqiten atje me një certifikatë me fotografi, e cila minimalisht bën 300 lekë. Nëse nuk e kanë emrin në listat që ka depozituar Ministria e Brendshme pranë postave, kjo ndodh pothuajse në gjysmën e rasteve të njerëzve që paraqiten, se listat janë me pasaktësi të mëdha, ata duhet të shkojnë në komisariatin e policisë për të marrë vërtetime, pra është një kalvar i tërë procedurash burokratike që duhet të bëjnë këta njerëz për të marrë kartën e identitetit prej 200 lekësh. Procedura dhe kostoja, të cilat shkojnë sot më shumë se 2000 lekë të rinj, në qoftë se njerëzit do t’i përkushtohen këtij procesi. Dhe për këtë arsye ka dështuar pra procesi i pajisjes së shtetasve shqiptarë me kartat e reja të identitetit me 200 lekë”, - tha Prifti.
Ai i bëri thirrje qeverisë që të marrë të gjitha masat që të garantojë që 300 mijë shqiptarët pa karta identiteti të pajisen në kohë me to. “Ka dështuar standardi më i rëndësishëm i zgjedhjeve të lira. Janë 300 mijë shtetas sot që akoma nuk janë pajisur me kartën e identitetit, të cilët sot, në momentin që flasim, i është hequr e drejta e votës nga një marrëveshje naive dhe hileqare e bërë mes dy forcave politike. Ne i kërkojmë qeverisë, e cila mban përgjegjësi për këtë standard, shumë të rëndësishëm të zgjedhjeve të lira, t’i heqë dokumentet për shqiptarët që duhen pajisur me karta identiteti. Çdo shqiptar, i cili nuk e ka kartën e identitetit, duhet të shkojë te posta të blejë kuponin 200 lekë dhe të shkojë të bëjë kartën e identitetit”, - tha nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti.
Shaban Sulçe

12 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›