E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja, ultimatum qeverisë: Një javë kohë për kartat, ndryshe rishikojmë qëndrimin tonë për zgjedhjet



Nënsekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka ndjekur në terren pajisjen e shtetasve me letërnjoftime. Gjatë inspektimit në Njësinë Nr. 1 në kryeqytet, Gjiknuri u shpreh për mediat se PS-ja po e monitoron në vazhdimësi këtë proces në të gjithë vendin dhe konstaton mjaft parregullsi e probleme: “Partia Socialiste ka filluar një inspektim në terren lidhur me shqetësimet që ne vazhdojmë t’i ngremë lidhur me procesin e aplikimit për letërnjoftime. Shpreh edhe njëherë shqetësimin se procesi i shpërndarjes së letërnjoftimeve po has në pengesa serioze. Shumë zyra postare në një pjesë të vendit nuk po i aplikojnë tarifat e reja ose edhe kur i aplikojnë nxjerrin probleme për shumë persona”, - tha Gjiknuri. Sipas tij, në zyrat e aplikimit po pengohen për të aplikuar qytetarët që nuk kanë pasaportë dhe që nuk i kanë emrat në listat e shpallura nga Ministria, duke u kërkuar atyre dokumente shtesë. Ai denoncoi gjithashtu edhe refuzimin e Ministrisë së Brendshme për të vënë në dispozicion listën e plotë të shtetasve pa pasaportë. Sipas tij, një gjë e tillë të bën të dyshosh se në këtë proces ka pasur dhe ka përpjekje të orkestruar për të zvogëluar numrin e shtetasve pa pasaportë.
Partia Socialiste ka denoncuar gjithashtu edhe faktin se në shumë komuna, shtetasit që aplikojnë janë të detyruar të paguajnë shumën prej 1200 lekësh, dhe jo shumën e përcaktuar në vendimin më të fundit të qeverisë. Sipas Gjiknurit, Partia Socialiste do të rishikojë qëndrimin e saj për zgjedhjet, në rast se brenda kësaj jave nuk do të përmirësohet në mënyrë radikale procesi i pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti. “Partia Socialiste thekson se nëse nuk ka vullnet të qartë nga qeveria për të dhënë informacionin e kërkuar, si dhe një ndryshim radikal në terren duke shmangur çdo barrierë administrative deri më 17 maj 2009, atëherë PS-ja do të rishikojë qëndrimin e saj në lidhje me zgjedhjet”, - tha nënsekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste.

12 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›