E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat e kandidatëve, PS-ja përfshin kryetarët e degëve kryesore në rrethe



Shaban Sulçe

Kryetarët e degëve të Partisë Socialiste në rrethet dhe qarqet kryesore të vendit pritet të përfshihen në listat e kandidatëve për deputetë të PS-së në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Tashmë prej disa ditësh në selinë rozë ka nisur procesi i konsultimit dhe diskutimit të kandidaturave për deputetë. Një rol shumë të rëndësishëm në propozimin e kandidaturave po luan edhe anëtarësia socialiste në bazë, mendimi i së cilës po tërhiqet nga zyrtarët e lartë të PS-së. Ajo që bëhet e ditur deri tani është fakti se në këto lista të kandidatëve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 28 qershorit pritet të përfshihen edhe një numër i konsiderueshëm të kryetarëve të degëve kryesore të PS-së në rrethe.

Kandidaturat
Selia rozë duket mjaft e vendosur për të motivuar bazën e saj në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ky motivim duket se do të lindë edhe nga fakti se shumë prej kryetarëve të degëve të saj do të përfshihen në listat e kandidatëve për deputetë, duke qenë se ata gëzojnë mbështetjen e anëtarësisë socialiste. Në këtë drejtim duket i sigurt kandidimi në listë i kryetarit të PS-së së Tiranës, Besnik Baraj, i kryetarit të PS-së së Kukësit, Asllan Dogjani, i kryetarit të PS-së së Durrësit, Gazmir Bizhga, i kreut të PS-së së Vlorës, Eltar Deda, i kreut të degës së PS-së në Berat, Selman Hodo dhe i kryetarit të PS-së së Shkodrës, Edip Shiroka. Ende nuk dihet me saktësi renditja e krerëve lokalë në listat e PS-së, gjithsesi, një gjë e tillë pritet të zbulohet në datën 14 maj, kur do të publikohet edhe lista e kandidatëve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 28 qershorit.

Kriteret
Pak ditë më parë, Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka shpallur kriteret zyrtare për përzgjedhjen e emrave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Sipas strategjisë së selisë rozë, përzgjedhja e kandidaturave potenciale të kandidatëve të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit do të bëhet pas finalizimit të procesit konsultues me strukturat partiake të PS-së. Për këtë takimet dhe konsultimet për tërheqjen e mendimit të strukturave të partisë për kandidaturat potenciale do të organizohen në bazë rrethi. Në këto takime dhe konsultime do të marrin pjesë delegatët e Kongresit, anëtarët e Asamblesë Kombëtare në rrethin përkatës dhe anëtarët e Kryesisë së rrethit. Këto takime do të zhvillohen nën drejtimin e anëtarit të kryesisë qendrore të PS-së, që është ngarkuar për qarkun përkatës. Miratimi i kandidaturave përfundimtare do të jetë një kompetencë e Kryesisë Qendrore të Partisë Socialiste. Kryesia Qendrore, pasi bën vlerësimin e listës së kandidaturave të paraqitur nga kryetari i PS-së për secilin qark mbështetur në plotësimin e kritereve për të dhënat individuale, në propozimet e strukturave të partisë dhe të organizmave të shoqërisë civile si dhe në sondazhet e kryera, miraton listat përfaqësuese përfundimtare për deputetë.

12 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›