E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Kavajë: “LSI-ja, plan konkret për mbrojtjen e shtresave në nevojë”



Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka zhvilluar dje një takim me tregtarë të vegjël dhe të mesëm në tregun bujqësor të Kavajës. I shoqëruar edhe nga kandidatët për deputetë të kësaj partie, kreu i LSI-së ndaloi duke takuar dhe bashkëbiseduar nga afër me shumë tregtarë të cilët shprehën shqetësimin për mungesën e një tregu të mirëfilltë, ku ata të kenë mundësi për të shitur produktet e tyre ushqimore. Një tjetër shqetësim që këta biznesmenë të vegjël i shprehën kreut të LSI-së ishte edhe rënia e fuqisë blerëse për shkak të çmimeve të larta si pasojë e produkteve që importohen. Gjatë fjalës së tij në këto takime, Meta shprehu shqetësimin për rënien e fuqisë blerëse, si rezultat i thellimit të varfërisë. Ai tha se LSI-ja ka një plan konkret për të mbështetur shtresat në nevojë, plan i cili konsiston që nga heqja e tatimit për të ardhurat deri në 25 mijë lekë. “Rënia e fuqisë blerëse dhe rënia e ekonomisë tregon se është një krizë e përgjithshme dhe që është një krizë që ka prekur shumicën e popullsisë, sidomos atë me të ardhura më të pakta. Ndaj dhe ne kemi një plan konkret dhe të qartë për rigjallërimin e ekonomisë, ashtu sikurse kemi dhe një plan për të mbrojtur shtresat shoqërore me të ardhura më të pakta duke bërë zero tatimin për të ardhurat deri në 250 mijë lekë si dhe njëkohësisht duke ndjekur politika të tjera fiskale lehtësuese, të cilat do të ndihmojnë edhe në rritjen e fuqisë blerëse në të ardhmen”, - tha Meta.

12 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›