Rama në Shkodër: “PS-ja është e vendosur kundër ndërtimit të centralit bërthamor
Kryetari i Partisë Socialiste ishte dje në Shkodër për të mbajtur atje një deklaratë për shtyp. Kjo lëvizje e Edi Ramës drejt Shkodrës ishte për të përforcuar edhe njëherë qëndrimin kundërshtues të PS-së ndaj planit të Berishës për ndërtimin e centralit bërthamor në këtë qytet. Rama dëshmoi mbështetjen e socialistëve ndaj qëndrimeve refuzuese të komunitetit shkodran, i cili më herët është shprehur i revoltuar ndaj ndërtimit të centralit në këtë qytet. Rama e cilësoi projektin ogurzi dhe marrëzi të kryeministrit Sali Berisha. “Unë kam ardhur këtu për t’i shprehur solidaritetin tim qytetareve dhe qytetarëve të shqetësuar të Shkodrës lidhur me këtë projekt ogurzi, i cili nuk është asgjë tjetër veçse një tjetër shprehje kuptimplotë e një politike të vjetër të mungesës së vizionit për të ardhmen dhe të interesave dritëshkurtra të një grushti njerëzish. Ideja e centralit bërthamor në Shkodër është një marrëzi, të cilën sot e gjithë ditën zëdhënësit e qeverisë së Berishës vazhdojnë të argumentojnë dobinë e një projekti të tillë”, - tha Rama. Sipas kryesocialistit ky projekt i qeverisë përbën një kërcënim shumë serioz për komunitetin e banorëve të Shkodrës, por edhe për të gjithë Shqipërinë. “Në fakt, ky projekt jo vetëm nuk ka asnjë dobi, përkundrazi, mbart me vete një kërcënim shumë serioz për këtë komunitet dhe për vendin tonë, ashtu sikundër është një arsye më shumë që ne të angazhohemi jo vetëm që me fitoren e 28 qershorit ta fshijmë një herë e mirë këtë marrëzi nga faqja e dheut, por edhe që t’i japim jetë një politike të re të bashkëqeverisjes me njerëzit, të bashkëvendimmarrjes me njerëzit dhe të bashkudhëtimit me njerëzit drejt një Shqipërie të re, përmes një rruge të re”, - tha Rama. Ai tha se pas 28 qershorit nuk do të ndodhin më marrëzira të tilla. “Kjo qytetari shkodrane është shpresa se ne së bashku mund të bëjmë të mundura gjëra që sot duken të pamundura. Jo thjesht që ne së bashku, më 28 qershor, do ta mbyllim një herë e mirë në sirtarin e marrëzive të këtyre 4 vjetëve edhe marrëzinë e centralit bërthamor, por do të hapim edhe një faqe të re për Shkodrën dhe për gjithë Shqipërinë”, - tha Rama.
12 Maj 2009