E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati: Bego nuk është mik me Aldo Baren

Mbrojtësi i të cilësuarit nga policia "ortak" i Aldo Bares e ka mohuar këtë fakt, e madje pohoi se duhet të evitohet një përballje mes tyre

"Bego është dënuar në Itali në një proces ku bënin pjesë tri grupe të akuzuara për trafik droge, por s'ka lidhje me ta"

TIRANË- Mbrojtësi ligjor i të arrestuarit Edmond Bego, alias Manoli Bega, i njohur ndryshe edhe si ish-President i klubit futbollistik të Lushnjës, avokati Ardian Leka mohon lidhjet miqësore apo "pune" mes të pandehurit Aldo Bare dhe klientit të tij të arrestuar tre ditë më parë. Gjatë një bisede telefonike me "Shekullin", avokat Leka mohoi se klienti i tij Bego ka lidhje me të pandehurin Aldo Bare përveç njohjeve mes tyre si banorë të Lushnjes. "Unë jam mbrojtësi ligjor i Edmond Begos dhe nga informacionet që kam dhe nga bisedat me klientin tim, janë të pavërteta pretendimet e policisë se klienti im ka qenë bashkëpunëtor i shtetasit Aldo Bare. Ata njihen vetëm si lushnjarë dhe nuk kanë pasur dhe nuk kanë absolutisht marrëdhënie shoqërore mes tyre, përkundrazi ata nuk flasin"-tha Leka, duke hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga Policia pas arrestimit të tij. Gjithashtu, mbrojtësi ligjor, konfirmoi se klienti i tij, deri pasditen e djeshme, ndodhej në zyrat e Drejtorisë së Policisë në kryeqytet, në pritje të verifikimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet. Kjo e fundit ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë për të, por sipas tij, verifikimi i saj nuk është kryer ende. "Jam në pritje të fletë-thirrjes së Gjykatës për seancën e verifikimit të masës. Përveç kërkesave të tjera, që do paraqes para togave të zeza, do të kërkoj që klienti im Edmond Bego të dërgohet në ambientet e paraburgimit "Mine Peza" (302) dhe jo tek paraburgimi "Jordan Misja" (313) pasi aty ndodhet shtetasi Aldo Bare. Për të evituar çdo kontakt mes tyre, do paraqes këtë kërkesë, pasi marrëdhëniet mes tyre nuk janë aspak miqësore"-tha avokati Leka. Përveç këtyre pretendimeve, mbrojtësi ligjor konfirmoi faktin se klienti i tij është dënuar në shtetin Italian bashkë me një dosje me Aldo Baren, Enver Dondollakun dhe një grup tjetër shtetas italianë. "Dosja penale me të cilën unë jam njohur dhe kam vendimin e Gjykatës së Apelit saktëson se klienti im bashkë me tre persona të tjerë, ndodhej në një dosje gjykimi edhe me dy grupe të tjera që trafikonin drogë. Në një grup pretendohet se ka qenë klienti im me disa persona të tjerë dhe është dënuar në mungesë, një grup tjetër ka qenë i përbërë nga Aldo Bare, Enver Dondollaku dhe disa persona të tjetrë si dhe grupi i tretë ka pasur disa shtetas italianë dhe disa vajza. Kështu që, të tre grupet, sipas vendimit, ishin të ndarë dhe nuk punonin bashkë por i vetmi fakt që i lidhte ishte i njëjti furnizues nga Turqia",-tha avokati Leka për "Shekullin". Gjithashtu në prononcimin e tij avokati mohoi se klienti i tij ka për të vuajtur 13 vite burg, por vetëm 11 vite. "Sipas vendimit italian, klienti im është dënuar në formën e prerë me 14 vite burg në mungesë. Gjatë kësaj kohe që nga dhënia e vendimit, klienti im ka përfituar tre amnisti dhe që përfundimisht i mbetet të vuajë 11 vite burg në Shqipëri",-tha avokati në fjalën e tij.

Masa e sigurisë u caktua ditën e arrestimit
Sipas burimeve pranë togave të zeza, mësohet se ka qenë kërkesa e prokurorit Besnik Cengu që gjyqtarja e masave Teuta Hoxha ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë për shtetasin Edmond Bego i njohur edhe si Manoli Bego apo Saimir Sina. Ky vendim është marrë menjëherë pas ardhjes së vendimit nga autoritetet italiane për njohjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhënë ndaj ish-presidentit të klubit futbollistik Lushnja. Sipas vendimit italian, shtetasi Bego, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, mes tyre në dosje edhe Aldo Baren e Enver Dondollakun, të njohur si krerët e "bandës" së Lushnjës trafikonin lëndë narkotike nga Turqia në Shqipëri dhe më pas në Itali. Për këtë trafik autoritetet italiane kishin arrestuar apo shpallur në kërkim ku edhe janë dënuar rreth 26 persona.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›