E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, PAD, PDS prezantojnë kandidatin e përbashkët

Autori i Lajmit: red.
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka dhe Sekretari i Partisë Demokracia Sociale, Artur Duçkollari kanë prezantuar kandidatin për zgjedhjet e pjesshme në komunën Kashar. Pas një sërë diskutimesh dhe komunikimi të vazhdueshëm nga partitë e këtij koalicioni me anëtarësinë dhe simpatizantët e tyre, u përzgjodh Alfred Bakalli kandidat i përbashkët për zgjedhjet e 27 korrikut në komunën Kashar. Pasi ka përshëndetur të pranishmit në këtë prezantim të kandidaturës, kreu i PAD-së, Neritan Ceka u shpreh tepër optimist për fitoren e kandidatit Bakalli në zgjedhjet e pjesshme në 27 korrik. “Ne mendojmë që programi që ka Alfredi, nuk është vetëm programi i tij personal, që vjen përditë nga kontaktet me ju, që vjen me hallet që ndan me ju, por që vjen edhe nga dëshira që ai ka për ta kthyer Kasharin jo në një lagje të Tiranës, por në qytetin e Tiranës. Ndaj në emër të Aleancës Demokratike, në emër të gjithë anëtarëve që ne kemi në këtë komunë, dhe në emër të gjithë atyre që kanë votuar për Aleancën Demokratike në këtë komunë, mbështet plotësisht kandidaturën e tij”, - theksoi Ceka. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Sekretari politik i PDS-së, i cili theksoi se këto zgjedhje do të jenë prova e para e opozitës së vërtetë, e opozitës që denoncon dhe refuzon Berishën, e opozitës që nuk bënë kompromis me një qeveri të dështuar dhe të korruptuar. Ndërsa kreu i LSI-së Meta shprehu bindjen e tij, dhe të partive të tjera mbështetëse për fitoren e Bakallit në zgjedhjet e 27 korrikut.
Ky lajm është publikuar: 30/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›