LSI: PS gënjeu për sondazhin e zgjedhjeve
22/03/2005 Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim e ka cilësur të pavërtetë, sondazhin e publikuar dy ditë më parë nga Partia Socialiste, sipas të cilit kjo forcë politike aktualisht gëzon mbështetjen e shumicës së votuesve shqiptarë. "Lidhur me sondazhin e fundit të publikuar nga ana e Partisë Socialiste, unë mund t'ju siguroj se edhe ne, nga burime të sigurta, jemi të informuar se ky sondazh është bërë vërtet, dhe pikërisht nga një institut mjaft serioz për çështjet e zgjedhjeve, i cili është: "Instituti i zgjedhjeve evropiane të Dushkut". Por, përveç anës groteske të këtij sondazhi dhe butaforike njëkohësisht, unë dua të bëjë të qartë se lojëra të tilla me sondazhe do të ketë padyshim edhe në të ardhmen, nga të gjitha forcat politike, ku po t'i mbledhësh të gjitha përqindjet mund të shkojnë jo vetëm 100 për qind, por edhe 1000 për qind në favorin e të gjitha këtyre partive. Me këtë rast, dua të konfirmoj vendosmërinë e LSI-së për të konkurruar, dhe për të fituar në të 100 zonat zgjedhore në vend. Shpreh besimin tim, se LSI-ja është e sigurtë për fitoren në 40 zona zgjedhore. Ne besojmë se, në njëqind ditët që kanë mbetur, kjo shifër do të avancojë edhe më tej", tha në një konferencë për shtypin kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Gjithashtu, duke komentuar zhvillimet në Partinë Demokratike, Meta shprehet se te Komiteti i Orientimit të Politikave dhe te rikthimi i themeluesve të PD-së nuk shikon asgjë të re. "Rikthimi i tyre në Partinë Demokratike është një zgjedhje e tyre. Unë mendoj se asgjë serioze dhe substanciale nuk ka ndryshuar në drejtimin e Partisë Demokratike, dhe në veçanti për sa i përket drejtuesit të saj, pavarësisht nga përpjekje të tilla për të rikuperuar një imazh të dëmtuar rëndë gjatë këtyre viteve të tranzicionit", tha Meta.