E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqiptarët e Londrës, pritje madhështore Kreshnik Qatos

22/03/2005  Ambasadori Kastriot Robo: “Qato, krenaria e të gjithë shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar”

Qato: “Ndjehem më shumë shqiptar në Londër mes këtyre njerëzve, se sa u ndjeva në Shqipëri”

Fundjava për emigrantët shqiptarë në Londër ka qenë e veçantë. Ata kanë pritur në mënyrë madhështore mbërritjen e kampionit Kreshnik Qato, në aeroportin e Heathrowt të shtunën, ashtu siç i ka hije kampionëve. Ndërsa të dielën në rrugën “West Green”, pub-i “The Dome” është shndërruar në një mini pallat sporti, ku është parë nga monitorët televizë ndeshja e zhvilluar më 5 mars në Durrës, ku Qato fitoi titullin kampion bote.

Mbërritja

Rreth 100 shqiptarë që jetojnë e punojnë në Londër, plot gëzim dhe krenari, duke valëvitur flamurin shqiptar, kanë mbërritur në aeroportin më të madh të Anglisë, atë të Heathrowt. Nuk po niseshin për të ndjekur ndonjë ndeshje të Kombëtares tonë, siç e kanë bërë shumë prej tyre herët e tjera, por kishin dalë për të pritur njeriun që i bëri të ndihen kampionë. Boksierin durrsak Kreshnik Qato.

Aeroporti

Është hera e parë që ambientet e brendshme të aeroportit kanë kaq shumë shqiptarë, ku shumica janë veshur kuqezi. Një grup policësh kuriozë dhe mbi të gjitha “vigjilent”, bisedojnë me një grup prej tyre, të cilët i tregojnë se po presin një boksier, një bashkëpatriot të tyren, që është kampion bote në boks. Sqarimi ka qenë mëse i mjaftueshëm për policët e aeroportit. Kur akrepat e orës shënojnë 19:00, në ekranin e mbërritjes së avionëve disa minuta më pas shënohet ulja e avionit me të cilin ka udhëtuar Qato. Emocionet shtohen për të gjithë, më shumë për Nik Berishën, presidentin e “Alban Travel”, i cili së bashku me biznesmenin tjetër të nderuar, Toni Sinan, themelues i kompanisë “Progressive Protection”, për herë të parë sollën në Shqipëri boksin profesionist. Minutat duken orë për shqiptarët, të cilët janë grupuar përballë daljes së pasagjerëve. Janë emocione të përjetuara tellë nga ata. Shumë prej tyre tregojnë se kanë vite që nuk e kalojnë pragun e aeroportit, kjo nga mospasja e dokumenteve. ”Do të kishim shumë dëshirë ta ndiqnim ndeshjen në Durrës, por ja që s’kemi letrat”, thotë Taulanti nga Berati, që mban një flamur në dorë. Njerëzit që dalin nga aeroporti shikojnë me habi grupin e shqiptarëve, pa e ditur misionin e tyre. Dhe ja, mes tyre është parë Qato, ai për të cilin bashkëkombasit e tij në formë respekti kanë dalë për t’i uruar mirëseardhjen. Vetë Kreshniku nuk e kishte parashikuar një surprizë të tillë, e cila iu është mbajtur sekret.

Limuzina

Të gjithë duartrokasin për Qaton, duke u shtyrë për ta përqafuar dhe bërë fotografi. Vetë Qato është i emocionuar. Por surpriza për të nuk ka qenë vetëm pritja me flamuj dhe brohoritje në aeroport, që pa dyshim ka qenë një gjest prekës për kampionin. Një limuzinë e bardhë priste te dera e aeroportit, njësoj sikur të priste një nuse dhe një dhëndër, siç e ka bërë shpesh shoferi i saj. Por, në fakt, kësaj radhe do të ishte Kreshnik Qato ai që do të meritonte të ulej në brendësi të saj, duke u shoqëruar me blicat e shumtë të aparateve fotografikë, që shkrepeshin pareshtur të gjithë në një kohë.

E diela mbushur me vizita bashkatdhetarësh

Pa u shplodhur ende nga një natë e gjatë pa gjumë, Kreshnik Qatos i është dashur që të dielën të jetë i angazhuar në një tjetër veprimtari. Kësaj radhe qytetarit të nderit të Durrësit do t’i duhej të përshëndetej me qindra shqiptarë në veri të Londrës, që kishin ardhur për ta uruar. Pub-i “The Dume” është mbushur plot. Të gjithë janë krenar, se mes tyre më në fund një shqiptar theu akullin, duke u dëgjuar për mirë. Vetë numri i diplomacisë shqiptare në Londër, ambasadori Kastriot Robo, kishte anuluar planet e një dite pushimi me plot diell në Londër, për të nderuar me prezencën e tij dhe stafit të ambasadës veprimtarinë. Nderimi i kampionit duhet të shkonte deri në fund. Një grup djemsh e kanë sjellë atë me limuzinë, njësoj si në ceremonitë madhështore me tapet të kuq, ku VIP-at e kinematografisë mbërrijnë në premierat e filmave në kinemanë “Odeon” në qendër të kryeqytetit britanik. Qato zë vend pranë një tavoline në krye të pub-it, vetëm atëherë kur i ka shtrënguar duart me të gjithë. Nik Berisha së bashku me Toni Sinan, mikpritësit e kësaj ceremonie, pasi kanë falenderuar të pranishmit, ia kanë dhënë fjalën ambasadorit Robo. “Është nder i veçantë për mua dhe për kolegët e mi diplomatë të jemi sot mes jush, këtu në veri të Londrës, për të përgëzuar dhe uruar Kreshnik Qaton. Fitorja e tij është shumë domethënëse për boksin shqiptar, në veçanti për komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe, i cili ka nevojë për individë të suksesshëm që të përfaqësojnë denjësisht vendin tonë dhe të shërbejnë si shembull, se në mes jush ka individë të suksesshëm. Pa ndrojtje mund të deklaroj se, Kreshniku është krenaria e të gjithë shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar. Puna jonë si ambasadë është forcimi dhe organizimi i komunitetit shqiptar, ku pa dyshim një vend të veçantë ka zënë dhe do të zërë në të ardhmen promovimi i shqiptarëve të suksesshëm, siç është Kreshnik Qato në boks, apo edhe shumë të tjerë në fusha të ndryshme”, ka thënë ambasadori Robo. Emocionet shtohen, pse jo ato bëhen më të forta kur nga ekranet e vendosura në dy anët e pub-it fillon të transmetohet ndeshja e 5 marsit. Qato vështron me kujdes ekranin, njësoj sikur të mos ishte ai heroi i atyre 12 raundeve që sollën suksesin. Por, Qato në një minikonferencë shtypi me gazetarët, pranon faktin se ka mbetur i shtangur nga e gjithë kjo pritje madhështore. Ai tha: ”Jo vetëm unë, por edhe i gjithë stafi im i trajnerëve kanë mbetur të shtangur nga kjo ceremoni. Ndjehem shumë mirë, mbi të gjitha se e mbajta fjalën se nuk do të zhgënjeja askënd. Respekti që kanë treguar ndaj meje shqiptarët e Londrës është mbresëlënës”. Megjithëse të nesërmen e shpalljes kampion bote, durrsaku, tërësisht i panjohur për median shqiptare, bëri që ai të pushtonte faqet e para të gazetave të Tiranës, u shpall “Qytetar Nderi” i Durrësit, u prit nga politikanët më të lartë në Shqipëri, u duartrokit dhe u brohorit gjatë nga bashkëqytetarët e tij, nuk ngurron të pohojë me sinqeritet: “Ndjehem më shumë shqiptarë këtu në Londër mes këtyre njerëzve, se sa u ndjeva në Shqipëri. Këta njerëz janë pikërisht ata, të cilët ma shtojnë motivacionin për ta çuar përpara punën time”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›