OSBE, 6 muaj kohë për shkatërrimin e armëve
OSBE asiston qeverinë shqiptare në shkatërrimin e armëve luftarake të rrezikshme brenda një kohe prej 6 muajsh. 30 mijë litra substancë e rrezikshme do të asgjësohen në një vend të sigurt me mbështetjen e OSBE-së dhe kjo në sajë të marrëveshjes së nënshkruar dje nga ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa dhe ambasadori i radhës i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, për asgjësimin e stokut të përbërësve të karburantit të raketave “Melanzhi“. Pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe kompania suedeze SAKAB AB, kompani që do të merret me zbatimin e këtij projekti. Sasia e përgjithshme e këtij stoku toksik do të jetë afërsisht 30 mijë litra, që do të eksportohen për shkatërrim në Suedi. “Shkatërrimi i municioneve është specifikë e OSBE-së dhe ky është hapi i parë për shkatërrimin e lëndeve të rrezikshme në Shqipëri. Ky projekt që do të zgjasë 6 muaj është kontribut i vendeve anëtare të OSBE-së: Greqisë, Finlandës, Suedisë dhe Danimarkës. “Ne do të jemi shumë të gatshëm të asistojmë qeverinë shqiptare në shkatërrimin e armëve, nëse do të na kërkohet”, - u shpreh ambasadori i OSBE-së. Projekti për asgjësimin e stokut të përbërësve të karburantit të raketave “Melanzhi“, është vazhdim i një sërë projektesh tashmë të përfunduara me sukses, nga Ministria e Mbrojtjes. Në vitin 2001 në Shqipëri nëpërmjet një projekti të përbashkët të qeverisë shqiptare me qeverinë zvicerane, në vendin tonë u shkatërruan rreth 20 tonë kimikate të rrezikshme, të cilat janë përdorur për qëllime stërvitore në Forcat e Armatosura. Ky proces u realizuar nëpërmjet projektit VETOXA.