“Mesnata” në pranga 5 persona, akuzohen për vjedhje
TIRANE- Policia e Tiranës ka ndaluar 5 persona, të cilët dyshohen se vepronin në grup për realizimin e një sërë vjedhjesh, ndërkohë që materialet e grabitura i dërgonin në qytetin e Elbasanit, në një pikë shumice, me synim shitjen dhe përfitimin monetar. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se në kudër të operacionit të koduar "Mesnata", u ndaluan me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim: Arjan Fejzullari, 38 vjeç, Valter Vladi, 19 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, Simon Thanasi, 28 vjeç, i dënuar më parë në shtetin grek për shitje të lëndëve narkotike, Ilir Shehi, 32 vjeç, i dënuar dy herë për vjedhje, Ilir Zenko, 44 vjeç, i dënuar më parë për plagosje. Policia bëri të ditur se ka shpallur në kërkim dhe një anëtar tjetër të këtij grupi. Gjatë hetimit një mujor, policia bëri të mundur dokumentimin e mbi 11 vjedhjeve, të realizuara nga ky grup. Gjithashtu policia po punon për zbardhjen e të tjerave ngjarjeve të tilla, që mendohet se ka realizuar ky grup në kohë e vende të ndryshme në Tiranë. Bëhet e ditur se atyre iu bllokuan me cilësinë e provës materiale një sërë sendesh të vjedhura si dhe mjetet që përdornin për kryerjen e veprave penale si kaçavidë, doreza, kapuç etj. (e.n/BalkanWeb)