LSI: Po na shkarkojnë elektoratin nga puna
22/03/2005 Ministri i Shtetit, Marko Bello, në raportin vjetor për Shërbimin Civil në Shqipëri, ka theksuar se vitin e ardhshëm do të ketë një rishikim tërësor funksional dhe strukturor i të gjitha sistemeve ministrore, iniciativa e të cilave mbështetet me asistencë teknike në kuadër të një projekti të Bankës Botërore. Gjithashtu, Bello është shprehur se gjatë tre viteve të ardhshëm do të ketë një thjeshtim të procedurave administrative dhe ulje të burokracisë në veprimtaritë administrative, publike etj. Në raport, ministri ka bërë të ditur se ligji për statusin e Nëpunësit Civil ka gjetur zbatim konkret dhe parashikohet që kjo të vazhdojë dhe më tej. Por, raporti i shtetit mbi Shërbimin Civil duket se ka sjellë debate të ashpra në Komisionin e Ligjeve. Përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë theksuar se në rrethe të ndryshme të vendit, mbështetësit e tyre, që punojnë në administratë, janë nën një presion të madh. Madje, Braho tha se shpesh anëtarët e LSI-së janë pushuar nga puna me pa të drejtë. Ndaj, ata kanë kërkuar respektimin e statusit të Nëpunësit Civil. Gjithsesi, raporti i paraqitur nga Marko Bello, ka gjetur mbështetjen e parlamentarëve. Rezoluta për të, ka marrë 43 vota pro, 15 kundër dhe 28 abstenime. Por, duke parë pengesat dhe vërejtjet e bëra gjatë këtyre viteve, është propozuar dhe një ndryshim në statusin e Nëpunësit Civil. Ekspertët kanë propozuar masa më të rrepta për funksionarët, që nuk respektojnë këtë status, ndërsa penalitete do të kenë dhe punonjësit e administratës që nuk zbatojnë si duhet detyrimet. Ndryshimet janë duke u përpunuar në bashkëpunim me organizata të ndryshme joqeveritare si dhe me ekspertë të huaj.