E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shtyhet votimi mbi ligjin e shtypit

22/03/2005  Takimi mes PS dhe OSBE-së është parashikuar të zhvillohet pas dy javësh

Projektligji për shtypin në Shqipëri duket se nuk do të miratohet as këtë javë. Kjo për shkak se socialistët nuk kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët mbi një rregullim të tregut të shitjes së gazetave në Shqipëri, ndërsa nuk është realizuar takimi mes PS dhe OSBE-së. Vetëm tri javë më parë, socialistët vendosën që në seancën parlamentare do të mbështesnin amendamentet e deputetëve Nikollë Lesi dhe Erion Braçe. Por konsensusi i PS-së u thye pas një debati të gjatë në Komisionin parlamentar të Mediave, Musa Ulqini dhe disa përfaqësues të tjerë të PS-së në komision vendosën të votojnë kundër këtyre amendamenteve, që synonin të rregullonin momentin se kur shteti mund të subvencionojë një media. Sipas Lesit dhe Braçes, për gazetat duhet të vendosen çmimet e referencës dhe ata botues që i shesin gazetat nën këto përcaktime, shteti nuk do t'u japë reklama shtetërore me pagesë. Një tjetër masë është kërkuar dhe heqja e çmimeve të reduktuara për telefoninë dhe për energjinë elektrike. Duke parë debatet e hapura, Grupi parlamentar i PS-së vendosi të kërkojë dhe mendimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Burimet në PS bën të ditur se takimi i parashikuar për dje nuk është realizuar. Kjo ka sjellë dhe shtyrjen e votimit të parashikuar për t'u zhvilluar dje. Megjithatë, duket se do të jetë mbledhja që socialistët do të zhhvillojnë sot që do të vendosë përfundimisht mbi këtë draft.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›