LSI: Prokuroria të hetojë për dhunuesit e fjalës së lirë
LSI-ja ka reaguar dje ndaj rikthimit të dhunës në media. Anëtari i Kryesisë së LSI-së dhe drejtor për median në këtë forcë politike, Dritan Ylli, gjatë një deklarate për shtyp ka deklaruar se "Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh shqetësimin dhe indinjatën e saj të thellë për rikthimin e dhunës fizike mbi gazetarët e medias së lirë". Ylli deklaroi më tej se "LSI do të jetë gjithmonë në ballë të luftës kundër represionit dhe autoritarizmit, kundër kastës së re të krijuar në skutat e fshehta të politikës për qëllime të mbrapshta". LSI mendon se guximi i falangave të pushtetit për të goditur median e lirë i ka rrënjët tek unifikimi i qëndrimeve të Partisë Socialiste me Partinë Demokratike, çka sjell dhe trimërimin e marrë bazuar në një mentalitet provincial të grupeve kriminale për të goditur e për të mbyllur gojën e medias së lirë. Përfaqësuesi i LSI-së i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme dhe organeve të zbatimit të ligjit të ushtrojnë përgjegjësitë e veta dhe të garantojnë liritë themelore të individit, ku një vend të rëndësishëm zë liria e shprehjes.