E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, pas PD edhe aleatët kërkojnë ndryshime

Mazhoranca kërkon të përfaqësohet me qeveri të re, përpara elektoratit në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës. Pas kërkesës së deputetëve të PD-së, edhe aleatët kanë kërkuar reformatimin e kabinetit. Të vegjlit "e padëshiruar" nga deputetët e PD-së të cilët nuk kanë mundur dot të sigurojnë një mandat ministri në kabinet në këto tre vjet qeverisje kanë shtuar dozën e presionit lidhur me ndryshimet në kabinet. Rritja e kërkesave nga brenda PD-së dhe aleatëve, duket se do ta drejtojë Kryeministrin Berisha drejt krijimit të një qeverie sa më të gjerë, duke zgjeruar kabinetin për të shtuar numrin e ministrave. Nga ana tjetër, Kryeministri ka pranuar idenë e ndryshimeve në qeveri, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme në lidhje me këtë proces, duke lënë gjithçka surprizë të minutave të fundit të negociatave mes PD-së, por edhe mes aleatëve. Ambicia për të fituar zgjedhjet e 2009-ës ka drejtuar kreun e qeverisë nëpër rrethe, duke inauguruar rrugë dhe duke promovuar nismën "Shqipëria në NATO". Të gjitha këto e mbajnë larg negociatave për të kryer lëvizjet e nevojshme në kabinet për të përmirësuar imazhin e qeverisë. E njëjta ambicie për të siguruar një tjetër mandat në 2009-ën do ta drejtojë Kryeministrin drejt reformatimit të kabinetit. Ose duhet të ndryshojë qëndrim, ose duhet të ndryshojë qeverinë. Njëra nga këto të dyja është strategjia që pritet të ndërmarrë Kryeministri për të dalë fitimtar përballë Edi Ramës në 2009-ën.

Aleatët

Republikanët këmbëngulin për përfaqësimin e tyre në kabinet, duke i kërkuar Kryeministrit Berisha të mos mendohet shumë, por t‘i bëjë ndryshimet menjëherë. Republikani Sabri Godo shprehet se "ne e kemi thënë fjalën tonë për qeverinë, tani presim reagimin e Kryeministrit". Nga ana tjetër, kreu i grupit kuvendor të PR-së, Arjan Madhi mbështet idenë e ndryshimeve në qeveri, si pjesë e vazhdimësisë së marrëveshjes që Partia Demokratike ka me aleatët e saj. Doza e presionit për ndryshime në kabinetin qeveritar shtohet edhe nga demokristianët. Të dyja kampet rivale brenda PDK-së shprehen pro ndryshimeve në kabinet, ku njëra palë kërkon shkarkimin e Nard Ndokës, duke e akuzuar atë si një ministër të korruptuar, ndërsa pala tjetër kërkon largimin e dy zv/ministrave duke mos i konsideruar më si pjesë e PDK-së. Megjithëse ka preferuar që për gjithë këtë kohë të distancohet nga debati që ka përfshirë PDK-në, duket qartë që dilemën demokristiane do ta zgjidhë vetëm Kryeministri Berisha. Në partitë e tjera, duket se situata është më e qetë. Demokratë-reformatorët dhe agraro-ambientalistët ndihen më të sigurt me këtë qeveri, megjithëse aprovojnë ndryshimet për rritjen e performancës së qeverisë, por këtë gjë jo të kërkuar si një domosdoshmëri.

1000 ditët e pushtetit

Qeveria, nën tensionin e ndryshimeve

Në 1000 ditë qeverisje, që pas ardhjes së PD-së në pushtet dhe deri më sot, kabineti "Berisha" është ndryshuar katër herë. 1000 ditë të vështira të mbushura me ndryshime të kabinetit "Berisha" do të vazhdojnë të njëjtën rrjedhë deri në përballjen e qeverisë me votën e qytetarëve në 2009-ën. Përfshirja e hyrjeve të reja në kabinet, do të rinovojë nga rrënjët qeverinë e drejtuar nga Berisha. Hyrja e Majlinda Bregut, Ylli Pangos, Gazmend Oketës, por edhe e demokristianit, Nard Ndoka u duken se do të sillnin ndryshimin e imazhit të qeverisë. Asgjë nuk ndryshoi dhe lëvizjet vazhduan, por këtë herë në rang dorëheqjesh. Tri dorëheqje njëra pas tjetrës, brenda pak muajve tronditën themelet e Këshillit të Ministrave. Dorëheqja e Besnik Mustafajt, me motivin se ndihej i lodhur, dorëheqja e Ilir Rusmalit, për të treguar aktin moral të një politikani dhe së fundi largimi i Fatmir Mediut me brengën e përgjegjësisë morale tronditën të ardhmen e qeverisë. Tre emra aktivë në politikë, Mustafaj, Rusmali dhe Mediu përjetuan në këto muaj qeverisjeje shkëlqimin dhe rënien e tyre në politikë.

Arjan Starova:

Qeverisja dhe reformat e konsumojnë qeverisjen

"Aktiviteti qeverisës dhe iniciativat reformuese të ndërmarra nga mazhoranca qeverisëse në pushtet, shkaktojnë në mënyrë të pashmangshme konsumimin e autoritetit qeverisës dhe kjo e bën të domosdoshme nevojën e ndryshimeve dhe rikompozimit të qeverisë". Kështu është deklaruar dje në Gjirokastër Arjan Starova, kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat pjesë e koalicionit të djathtë në pushtet. "E kam deklaruar dhe nuk hezitoj aspak që ta përsëris faktin se një rikompozim i qeverisë aktuale është absolutisht i domosdoshëm, jo vetëm sepse reformat e ndërmarra nga qeveria nuk e reflektojnë menjëherë efektin e tyre pozitiv, por edhe sepse këtë e imponon futja në një fazë të re të luftës që qeveria duhet të bëjë kundër korrupsionit", tha dje Starova në Konferencën e Katërt të BLD për Gjirokastrën, ku ai i shoqëruar nga dy liderët e tjerë të Partisë Liberal-Demokrate, sekretari organizativ, Shaqir Rexhvelaj, dhe nënkryetari Petrit Karabina.

Numri dy i qeverisë

Berisha, në "kërkim" të zv/kryeministrit

Ndryshimet në qeveri vazhdojnë të mbahen pezull nga zhvillimet e fundit në politikën e djathtë. Ndryshimet kushtetuese, refuzimi i republikanëve për të hyrë në qeveri me një post më pak të rëndësishëm se ai i Ministrisë së Mbrojtjes, ngjarja e Gërdecit, përplasjet e qeverisë dhe Kuvendit me institucionet e pavarura për ligje të ndryshme vazhdon të mbajnë larg Kryeministrin Berisha nga ideja e ndryshimeve në qeveri. Të gjitha këto turbullira brenda së djathtës i vërteton fare mirë moszgjidhja e zv/kryeministrit, e cila për momentin vazhdon të jetë një vendim i pafirmosur në tryezën e shefit të qeverisë. Dilema se cili do të pozicionohet në postin e zv/kryeministrit detyron Berishën të mbajë pezull emrin e pasuesit të tij, i cili do të jetë nga radhët e Partisë Demokratike. Emri i zv/kryeministrit të ri duket se do të surprizojë edhe vetë demokratët, të cilët ende nuk e kanë të qartë se cili do të pozicionohet në atë karrige. Këshilltarët dhe vetë kreu i qeverisë janë duke negociuar për pozicionin i cili prej dy muajsh ka ngelur pezull më shumë për shkak të diskordancave që kanë kapitulluar mazhorancës kohët e fundit.

Demokratët shtojnë kërkesat "underground" për të ndryshuar qeverinë para zgjedhjeve elektorale të 2009-ës

PD: Riformatim dhe rritje të numrit të ministrive

Deputetët e PD-së kanë paraqitur publikisht kërkesat "undergraund" për të ndryshuar qeverinë. Deputetët e PD-së zgjohen nga gjumi dhe kërkojnë ndryshime brenda kabinetit, si penalizim që deri tani është abuzuar me detyrën nga disa ministra. Një pjesë e deputetëve të djathtë mendojnë se ryshfeti në shëndetësi është rritur ndjeshëm, ndërsa deputetë të tjerë kërkojnë më shumë poste në qeveri sesa aleatët. Deputeti i PD-së, Edi Paloka, jep mendimin se qeveria do të ishte më efikase, sikur të rritej numri i ministrive dhe të kryhej një riorganizim i ri. Paloka akuzon ekzekutivin se është shkëputur nga baza e partisë dhe vetë deputetët demokratë. Ai thekson se qeverisja e djathtë i ka harruar militantët e saj. Paloka shprehet gjithashtu edhe për një mosfunksionim të partisë në kohën kur disa deputetë të PD-së kanë marrë edhe poste ministrore, ndërkohë që nga ana tjetër kanë edhe poste partiake. Nisur nga kjo, Paloka thekson se është e domosdoshme ndarja e posteve partiake nga ato ekzekutive. Një tjetër deputet brenda PD, njëkohësisht ish-ministër i kabinetit "Berisha", Bujar Leskaj pohon se "shfaqet një diskordancë mes ideve dhe veprimeve të Kryeministrit me ato të ministrave të veçantë, të cilët i bëjnë këto veprime nga padija apo edhe nga papjekuria politike". Duke paraqitur dy referime të kundërta mbi të cilat duhet të bazohen këto ndryshime, Leskaj u shpreh se "nëse do merrnin si sistem referimi të gjitha sistemet socialiste që nga koha e Adil Çarçanit e deri më sot, pa dyshim që qeveria "Berisha" është më e mira, por nëse i referohemi staturës së liderit të PD-së vlerave të produktit të tij në këto 18 vjet, premtimeve të zgjedhjeve të 2005-ës, pa dyshim që qeveria duhet të ndryshojë". Leskaj ka theksuar se Kryeministri Berisha ose duhet të ndryshojë qeveri, ose duhet të ndryshojë qëndrimin. "Ai kërkon të fitojë zgjedhjet e 2009-ës dhe ka për t‘i bërë ndryshimet", tha Leskaj, i cili shtoi se këto ndryshime nuk duhen bërë nën presionin e aleatëve, që kanë kërkesa të pakuptimta, por as nën atë të vetë deputetëve të PD-së. Zërat për ndryshime brenda Ekzekutivit shtohen veçanërisht tashmë kur kabinetit i mungon një zv/kryeministër, një ministër që të përfaqësojë Partinë Republikane dhe ka lënë pezull çështjen e demokristianëve duke i përfaqësuar më shumë se ç‘duhet në kabinet, me dy kryetarë të PDK-së. Më shumë se kurrë, Kryeministri ka më shumë se këtyre tri arsyeve për të riformatuar kabinetin. Përballja e PD dhe mazhorancës përballë elektoratit në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës, do ta detyrojë Kryeministrin të bëjë ndryshimet për të arritur një performancë më të mirë në sytë e elektoratit. Lufta ndaj korrupsionit, e cila e solli në pushtet në 2005-ën, ka kllapitur edhe administratën dhe disa nga ministrat e kabinetit "Berisha". Përveç sondazhe nga organizata të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, praninë e korrupsionit në kabinet tashmë e pohojnë edhe deputetë të PD-së.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›