LSI: Propozimet tona për Kodin e ri Zgjedhor
Lëvizja Socialiste për Integrim shprehet e gatshme për të kontribuar dhe për të dhënë propozime konkrete për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, gjatë një prononcimi për gazetën “Albania”, ka bërë publik propozimet e LSI-së, që kanë të bëjnë me përmirësimin dhe hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. “Propozimi i parë i LSI-së është ndarja e zonave zgjedhore, pra e qarqeve, mbi bazën e një numri të barabartë zgjedhësish. Gjithashtu ne propozojmë vendosjen e një pragu të njëjtë elektoral për çdo zonë zgjedhore. Nuk ka rëndësi për ne nëse ky prag është 4% apo 5%. E rëndësishme është që pragu elektoral të jetë në të njëjtin nivel për çdo rajon ku do të konkurrohet”, - u shpreh Braho. Ai theksoi gjithashtu se LSI-ja kërkon që procesi për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor duhet të jetë një proces i hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës, ku të përfshihen dhe të japin propozimet e tyre të gjitha forcat politike shqiptare. “Është shumë e rëndësishme transparenca dhe pjesëmarrja e të gjitha partive në procesin e përmirësimit të Kodit Zgjedhor”. Propozimi i katërt dhe shumë i rëndësishëm për Lëvizjen Socialiste për Integrim është e drejta e votës së emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme politike në Shqipëri. Sipas deputetit Braho, LSI-ja ka një qëndrim stoik përsa i përket garantimit të së drejtës së votës së emigrantëve në proceset zgjedhore në Shqipëri.
“LSI-ja është e palëkundur në këtë drejtim. Hartimi i Kodit të ri Zgjedhor nuk ka se si të mos ketë kuptim në rast se nuk do t’u garantohet e drejta e votës emigrantëve shqiptarë në botë. LSI-ja do të kërkojë me ngulm në Komisionin parlamentar për Kodin Zgjedhor garantimin e votës së emigrantëve”, - tha Braho. LSI-ja ishte e para forcë politike që në platformën e saj elektorale dërguar partive politike dy vjet më parë, kërkoi garantimin e të drejtës së votës së emigrantëve në proceset zgjedhore në Shqipëri.
Shaban Sulçe
25 Qershor 2008