E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen në gusht listat me emrat e pronarëve për 35 zona informale



Eljona Ballhysa

Nëndrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale, Ferdinand Shehu, ka bërë të ditur në një intervistë për gazetën “Albania” procedurën dhe afatet e kompensimit të pronarëve, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje. Shehu bën të ditur se në datën 1 gusht ALUIZNI do të paraqesë pranë Këshillit të Ministrave listën me emrat e pronarëve që do të përfitojnë të parët kompensim nga shteti. Sipas Shehut, aktualisht po punohet për 36 zona informale të shpërndara në territorin e të gjithë Shqipërisë. Nga këto 36 zona do të dalë dhe lista e parë e pronarëve. Sipas Shehut, pronarët mund të kompensohet me vlerë financiare, por dhe me vlerë fizike. Ai bën të ditur se të ardhurat për kompensimin e pronarëve do të mblidhen nga procesi i legalizimit. Sipas Shehut, pas miratimit të listës së pronarëve nga qeveria, ALUIZNI ka 3 muaj kohë për të dëmshpërblyer pronarët. Brenda këtyre muajve do të mblidhen paratë e legalizimit të zonës informale. Më tej Shehu shpjegon dhe mënyrën e legalizimit të zonave bregdetare.

Zoti Shehu, sipas ndryshimeve të ligjit të legalizimeve në datën 1 gusht do të paraqitet në qeveri lista me emrat e pronarëve që do të përfitojnë kompensim. A jeni të përgatitur për këtë proces dhe cila zonë informale do të futet e para për kompensim?

Normalisht, në zbatim të ligjit, në datën 1 gusht do të paraqesim listën e pronarëve për zonat që kemi në shqyrtim. Aktualisht kemi marrë në shqyrtim një numër të madh zonash informale në të gjithë territorin e Shqipërisë. Lista do të jetë pranë Këshillit të Ministrave pikërisht në datën 1 gusht përsa i përket kompensimit të pronarëve të ligjshëm. Të them në sa zona është, s’mundem, pasi ne sot punojmë në shumë zona, mbase mund të jetë një numër shumë i madh, pasi varet dhe nga ecuria e punës gjatë një muaji e gjysmë, kohë që ne kemi në dispozicion të këtij procesi. Dihet që jemi duke punuar dhe tani që flasim kemi të gatshme në disa zona listat e pronarëve. Të gjithë pronarët që preken nga procesi legalizimeve do të përfitojnë. Radha e punës do të varet nga ecuria dhe nga denduria që ka një zonë informale. Janë të lidhura me njëra-tjetrën proceset. Por në datën 1 gusht dhe çdo muaj ne do të paraqesim pranë Këshillit të Ministrave një listë me emrat e pronarëve, zonat e të cilëve merren në shqyrtim. Çdo një muaj është maksimumi i afatit, por ne mund të çojmë lista çdo dy ditë, në çdo një javë, apo në çdo dy javë. Pra varet nga volumi i punës që do të arrijmë të bëjmë. Tani po punohet në 35 zona informale, që ndodhen në të gjithë territorin e Shqipërisë, por nuk punohet vetëm me zona informale, punohet dhe me objekte të veçuara, ose bllok-banime të veçuara. Kështu që normalisht edhe bllok-banimet që kanë pronar ne i evidentojmë, ndaj dhe ligjvënësi e ka parashikuar shumë mirë që maksimumi brenda një muaji ne duhet të dërgojmë një listë me emrat e pronarëve, por nuk ka pengesa që të dërgohet më shpesh. Ne jemi të përgatitur dhe po ecim me ritme që ta përmbushim këtë detyrim.

Ku do të gjenden paratë që pas miratimit të listës nga Këshilli i Ministrave, ju të kryeni procesin e kompensimit të pronarëve?

E kemi thënë dhe njëherë tjetër që procesi i legalizimit merr të ardhura dhe këto të ardhura shkojnë në fondin e buxhetit të shtetit për kompensimin e ish-pronarëve. Siç është parashikuar në ligj, 80% e të ardhurave që do të përftohen nga procesi i legalizimeve do të përdoren për kompensimin e pronarëve tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale dhe 20% do të përdoren nga njësitë e qeverisjes vendore për urbanizimin e këtyre zonave. Pra janë me destinacion të përcaktuar. Por shqetësimi yt është i drejtë, pra ku do të gjenden këto para? Kuptohet në zonat informale kanë një numër të caktuar njerëzish që do të bëjnë pagesa, pasi 30% e tyre janë ndërtuar në tokë private, 30% janë në tokë shtetërore dhe 30% në tokat e pronarëve të ligjshëm, pra ua kanë zënë të tretëve. Pra të ardhurat që do të mblidhen nga ky proces shkojnë për pronarët e ligjshëm. Sipas llogaritjeve tona, vetë procesi i legalizimit hap pas hapi realizon kompensimin e pronarëve të ligjshëm. Prandaj dhe është lënë koha e mjaftueshme prej 3 muajsh që ALUIZNI të ekzekutojë vendimin e qeverisë. Nuk është e thënë që pronarët e ligjshëm do të kompensohen në vlerë monetare. Është thënë në vlerë monetare, por dhe në vlerë fizike. Pasi në shumë zona informale, sipas ligjit, do të legalizohet me çmimet e parashikuara, brenda vijës së verdhë vetëm 300 metra katrorë dhe jashtë vijës së verdhë 500 metra katrorë. Ndërsa për pjesën tjetër qytetarët do të paguajnë në vlerën e çmimit të tregut. Duhet të kemi parasysh se mjaft individë kanë zënë sipërfaqe pa fund. Dhe një pjesë e kësaj sipërfaqeje mund të përdoret për kompensimin e pronarit të ligjshëm.

Po në rast se pronari që ka ndërtuar nuk pranon që pjesën e mbetur të truallit që ka zënë ta paguajë me çmimin e tregut, si do të veprohet?

Nuk ka arsye që të mos e pranojë. Nuk shkohet me këtë mentalitet për të zbatuar një ligj. Ligji nuk lë vend për dëshira. Ky person është i detyruar ta paguajë pjesën e territorit që ka zënë.

Si do të veprohet në rastet kur bashkia ka prishur objekte të cilat kanë qenë në proces legalizimi? A nuk përbën kjo shkelje të ligjit të legalizimeve?

Përsa u përket objekteve për të cilat bëni fjalë, nuk kam informacion të tillë. Por individët që preken nga kjo duhet të ndjekin rrugët ligjore për të kërkuar të drejtën e tyre. Nuk është ALUIZNI që i jep zgjidhje këtij problemi. Janë institucionet e drejtësisë, gjykatat.

Së fundi, zoti Shehu, si do të veprohet për legalizimin në zonat turistike?

Ligji e përcakton shumë saktë. Duhet që Këshilli i Ministrave të përcaktojë vijën kufizuese, se cilat janë zonat me prioritet zhvillimin e turizmit. Në ligj thuhet se pasi përcaktohet vija kufizuese në zonat me prioritet zhvillimin e turizmit, nuk ka proces legalizimi. Këshilli i Ministrave është duke punuar për të përcaktuar këtë vijë ndarëse, pra zonat turistike dhe zonat e tjera urbane, ku ligji do të veprojë normalisht.

25 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›