Ushtria Italiane dhuron dy autoambulanca për Spitalin Ushtarak në Tiranë
Tiranë - Spitali Qendror Ushtarak në Tiranë mori dje në dorëzim dy autoambulanca të reja të dhuruara nga Ushtria Italiane. Dhurata u bë në përfundim të vizitës në Tiranë të gjeneral-lejtënand, Vincenzo de Luca, njëkohësisht edhe zëvendëskomandant i Komandës Logjistike të Forcave Tokësore Italiane. Dy autoambulancat e tipit “Fiat Ducato” kanë qenë pjesë e Forcave Tokësore Italiane dhe janë sjellë falë ndërmjetësimit të delegacionit italian të ekspertëve në Shqipëri “DIE”. Ato do të jenë operative, një për vetë Spitalin Ushtarak dhe tjetra do t’i kalojë Brigadës së Mbështetjes Rajonale, njësi kjo që ka si mision Mbrojtjen Civile. Një ditë më parë, në aerodromin ushtarak të Farkës, u ilustrua edhe një tjetër aktivitet i delegacionit italian të ekspertëve në kuadër të projektit 408 “Mbështetje Regjimentit të Helikopterëve”. Nga një ekip specialistësh i Forcave Tokësore italiane që aktualisht po punon në Regjimentin e Helikopterëve të Farkës, u realizua rivënia në punë e 4 helikopterëve “AB 206” dhe 2 helikopterëve “AB 205”. Në këtë aktivitet morën pjesë dhe zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade, Agim Lala dhe shefi i delegacionit italian të ekspertëve, gjeneral brigade, Aldo Piccotti.
25 Qershor 2008