Për ish-ushtarakët mashtrimi s’ka të sosur
Luan Kondi
Ish-ushtarakët shkojnë thuajse përditë në pikat e shitjes së gazetave të shohin titujt kryesorë dhe për më tepër janë të vëmendshëm nëse ndonjë prej tyre ka shkruar diçka për pensionet. Tashmë jo vetëm gazetashitësit e dinë se ata janë blerësit më të shumtë dhe më të rregullt të shtypit. E kanë një hall...
Ata nuk janë pak, edhe pse numri i tyre i saktë nuk dihet. Madje shifrën e saktë nuk e di as kreu i shoqatës, i cili gjithsesi di t’u thotë të tjerëve se është i pari i tyre dhe se fuqia e tij qëndron pikërisht në morinë e anëtarëve. As ndonjë ish-ministër i Mbrojtjes (edhe pse ndonjë fëmijë ish-ushtaraku) nuk ka qenë i interesuar t’ia dijë për ish-ushtarakët, edhe pse aderimi në NATO ka si kusht problemin e trajtimit financiar të tyre. Dikush prej tyre qëndroi pak në detyrë, ndonjë tjetër kishte probleme të mëdha kombëtare, kishte nga ata që ishin tejet të zënë me tendera këpucësh dhe orizi (këtij të fundit po t’i hedhesh ujë bëhet pilaf), dikujt i mbeti “Gërdeci” në dorë etj., etj. Kryeministrat kanë qenë fare pak të lidhur me fatin e pensioneve të ish-ushtarakëve, ndonjë ishte shumë i madh për t’u marrë me gjëra kaq të vogla, kishte nga ata që flisnin dhe s’bënin asgjë, ndërsa dikush u hodhi ndonjë kockë me vendim qeverie kur e bëri këtë edhe për të gjitha kategoritë e tjera.
Edhe politika aktuale nuk e ka mendjen tek ta, se po merret me gjëra më konkrete, o të gjejnë se në “aferën e municioneve janë edhe amerikanët”, o bëhet nami. Nuk kanë faj, se janë edhe shumë të zënë me ndryshimin e nenit 111 të Rregullores së Kuvendit, po vrasin mendjen se si do ta bëjnë reformën zgjedhore, dhe aq shumë janë lodhur me projekte dhe studime sa ndryshimet në Kodin Zgjedhor kërkojnë t’i bëjnë domosdoshmërisht brenda muajit korrik, se pastaj vjen gushti, plazhi, qetësia... e shihemi në shtator, kur ka rënë pak vapa.
Ish-ushtarakët presin se kështu janë mësuar. Ata i gënjejnë se kështu ua kanë bërë përherë, atëherë dhe tani. Çfarë të bëjnë?! Të gjitha partitë i duan, njëkohësisht edhe s’i duan. E dini kur u bie në mendje për ta? Thjesht fare, si për të gjithë, sa herë ka fushata zgjedhore. Por sinqerisht, e djathta merret më pak me ta se i mendon si votë kundër. Ku e dinë se ajo është e fshehtë, pa emër. Aq e vërtetë është kjo, sa arrihet të mos zbatohet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pensionet e tyre, apo të trumbetohet se kostoja e shpërblimit kap shifra marramendëse. Sa keq që kalemxhinjtë llogaritës të saj e shohin të zmadhuar me lupën e partisë rezultatin e vet. Ndërkohë, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton çdo gjashtë muaj miliarda lekë abuzime nga kjo administratë.
Ndërsa e majta shfaqet në dukje më ndryshe. Ajo i lajkaton kur u thotë se me të marrë në dorë fatet e vendit, pensionet e tyre do t’i ketë në qendër të vëmendjes, por harron se ishte në pushtet deri vetëm 3 vjet më parë dhe e shtyu pensionin e ish-ushtarakëve deri te qeverisja e PD-së. S’ka problem, ish-ushtarakët janë “të bindur”, janë të urtë mbi të gjitha, se kështu janë mësuar, dikur të zbatonin urdhrat e eprorëve të tyre, sot të kryetarëve të partive. Po të pyesësh disa kryetarë njëkohësisht të thonë se ish-ushtarakët janë elektorat i tyre. Sa e besueshme është kjo dhe me cilët janë vërtet ish-ushtarakët, që duke përshirë votën familjare, janë një kontingjent i konsiderueshëm votuesish?
Edhe shoqëria vetë është e dyzuar sa herë flitet për ta. Me të drejtë, se ajo ka në kurriz disa fatura financiare; dëmshpërblimet për të përndjekurit dhe për ish-pronarët, kreditë shtetërore etj. Dhe kështu gjithçka për ata që kanë bërë detyrën dhe vetëm detyrën, katandiset në një opinion kafenesh, qoftë edhe gazetash, sikur ish-ushtarakët nuk kanë bërë kurrë luftë dhe i kanë shërbyer sistemit të kaluar. Dhe ata përsëri “binden” duke pritur çdo ditë nga gazetat një lajm të mirë për pensionin e tyre...
25 Qershor 2008