Opozita akuzon mazhorancën: Po shisni asetet shtetërore
Deklarata më e fundit e Bankës Botërore dhe shitja e aseteve publike ishte objekt debati dje në sallën e Kuvendit mes opozitës dhe mazhorancës. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, hodhi poshtë pretendimet e deputetit Edi Paloka se pjesa më e madhe e medias dje ishte hapur me orientimin e PS-së për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, duke i kujtuar se kjo nuk ishte aspak e vërtetë, pasi në fokusin e mediave ka qenë deklarata e BB ku thoshte se ajo kishte gabuar me emërimin e dhëndrit të Berishës në krye të projektit të Jalit. Braçe shtoi se ky nuk ishte i vetmi shqetësim për opozitën. Sipas tij, privatizimet janë një tjetër shqetësim për ta, pasi po bëhen mjaft shpejt dhe në fshehtësi. Kryeministri Berisha, nënvizoi Braçe ka lançuar një shitje të shpejtë të çdo aksioni publik, në ndërmarrjet publike apo private ku ka ende aksione publike. Por, vijoi Braçe, Kryeministri duhet të kuptojë se çdo gjë që është publike në këtë vend nuk është e tij personale, por është pasuri kombëtare. "Transparenca e privatizimeve të këtyre aseteve publike është jetike jo vetëm për vendin, por edhe për biznesin që do të përfshihet në këtë proces. Të shesësh sot në kohë krize asete kombëtare kur mungojnë paratë është një krim ekonomik që i bëhet vendit, por dhe çdo familjes tjetër shqiptare duke përjashtuar familjen e Kryeministrit që po përfiton nga kjo histori", konstatoi deputeti socialist. Më tej, ai i ka kujtuar qeverisë se të gjitha asetet publike të vendit të privatizuara apo në proces privatizimi janë ose nën hetim ose në denoncim nga organi i akuzës. Duke u ndalur te hedhja në treg e licencës së katërt celulare në Shqipëri, Braçe tha se procesi është jo transparent dhe jashtë vëmendjes së publikut dhe të të interesuarve. Duke cituar mediat kosovare, Braçe tha se ato bëjnë me dije se të listuar në atë kompani që është e paraqitur në tender janë pesë klientë të qeverisë së Shqipërisë mes të cilëve asnjëri i marrë më parë me telefonin celulare dhe mbi të gjitha njëri prej tyre kompani shitje pijesh energjike në Shqipëri dhe Ballkan. Braçe tha se për tenderin e bërë thuhet se "në tenderin e telefonisë mobile në Shqipëri, post-telekomi i Kosovës ka partner njeriun që i ka shitur Euromaksin në Shqipëri Mishkoviçit, ish-zëvendëskryeministër i Serbisë në kohën e Milosheviçit". Pretendimet e Braçes u hodhën poshtë nga Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i cili theksoi se atij i erren sytë sapo përmendet Kosova. "Keni dy vjet rresht që nuk po lini gjë pa thënë për atë që është më themelore, që është rruga që lidh Shqipërinë me Kosovën", u shpreh ai. Sipas Olldashit, për telefoninë e katërt celulare në vend ka një vendim të qeverisë së Kosovës për të autorizuar Postën e Kosovës të marrë pjesë në procedurat për GSM-në e katërt në Shqipëri. Nëse Posta e Kosovës, vijoi ai, apo cilido investitor tjetër, futet në një procedurë i vetëm, me aksionerë apo me "joint venture", kjo nuk është përgjegjësi e jona, por është përgjegjësi e investitorit. Olldashi i kujtoi opozitës se as ata, as qeveria nuk ka të drejtë të kërkojë që Posta e Kosovës të seleksionojë aksionerët e vet.