E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Në Jal u prishën thjesht ndërtime pa leje

Ministri i Punëve Publike, z.Sokol Olldashi, deklaroi edhe një herë dje se qeveria shqiptare ka vepruar në përputhje me ligjet e veta kur shembi ndërtimet pa leje në Jal, ndërsa theksoi se shembjet e Jalit nuk qenë aspak të ndryshme nga shembjet e ndërtimeve pa leje në të gjithë vendin. Z. Olldashi tha gjithashtu se ndryshe nga sa shkruhet në media, qeveria nuk e ka përfshirë Bankën Botërore në këtë çështje.

"Në asnjë rrethanë, në asnjë rast, asnjë përfaqësues i qeverisë shqiptare nuk ka thënë se ndërtimet në Jal janë prishur me kërkesë të Bankës Botërore. Ndërtimet në Jal janë prishur në zbatim rigoroz të ligjit shqiptar që vepron në territorin e Shqipërisë", tha Olldashi.

Deklarata e tij erdhi pas publikimit të konkluzioneve të menaxherëve të Bankës Botërore mbi shembjet e ndërtimeve pa leje në Jal. BB tha se koordinatori i projektit pati dërguar letra në policinë ndërtimore dhe se pati informuar bankën me vonesë, vetëm pasi banka e pati kërkuar.

Sipas ministrit Olldashi, 12 ndërtimet e prishura në Jal në prill 2007 ishin të gjitha pa leje, pa dokument pronësie të tokës, ishin ndërtesa të reja që shërbenin kryesisht për biznes dhe ishin objekte që nuk përfshiheshin në ligjin e legalizimeve.

"Ajo që kemi thënë është se BB dhe projekti për zhvillimin e planit të jugut kanë qenë tërësisht në dijeni të politikës që qeveria ndjek me ndërtimet e paligjshme dhe kanë aprovuar këtë politikë të qeverisë së Shqipërisë për ndërtimet e paligjshme", tha Olldashi. Sipas tij, vetë banka në dokumentet e veta ka folur për nevojën e "fuqizimit të policisë ndërtimore për të kryer detyrat e veta".

Banka Botërore deklaroi se "nuk i ka autorizuar" shembjet në Jal, por Olldashi u përgjigj duke prezantuar disa dokumente zyrtare ku BB pranonte dhe këshillonte shembjen e ndërtimeve pa leje. Në një të tillë, që daton në vitin 2004, sipas Olldashit shkruhet: "Prishja e ndërtimeve të paligjshme duhet të vazhdojë…". Në një dokument tjetër të shkurtit 2007, shkruhet: "Projekti ka furnizuar me pajimet bazë njësitë e qeverisjes vendore dhe policinë e ndërtimit, për t‘i asistuar ato në kryerjen e funksioneve të veta".

Olldashi përsëriti akuzat se një pjesë e shtypit shqiptar kontrollohet nga opozita dhe ndërtues që kanë përhapur spekulime mbi ngjarjen.

Menaxherët e Bankës Botërore deklaruan se faji i tyre konsistonte në faktin që nuk reaguan menjëherë pas fillimit të shembjeve mbi çështjen dhe se nuk kishin arritur një marrëveshje të shkruar me qeverinë për ndalimin e shembjeve "derisa kritere dhe procedura të përcaktoheshin". Zyrtarët e bankës thanë gjithashtu se një marrëveshje gojore dukej se qe arritur në një takim mes menaxherëve dhe përfaqësuesve të qeverisë, por mbi atë takim nuk qe hartuar një procesverbal, gjë që e bën të pavlefshëm pretendimin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›