E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Qeveria jo e përgjegjshme

• Nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra, akuzoi dje qeverinë e kryeministrit Berisha si të papërgjegjshme, gjë që tregohet dhe në rishikimin e buxhetit të shtetit për herë të tretë. "Me masat e fundit për rishikimin e buxhetit, kjo qeveri po demonstron se është totalisht e paaftë të drejtojë, duke dëshmuar nivelin më të ulët të qeverisjes prej ndryshimit të sistemit në Shqipëri", tha Kodra. Por sipas LSI-së, kjo qeveri ka varfëruar gjithnjë e më shumë familjet shqiptare. "Qeveria ka dështuar në realizimin e investimeve publike dhe këtë e tregojnë shifrat e paraqitura nga vetë qeveria; 53,2% janë realizuar investimet me financime të brendshme vjetore dhe vetëm 31 % ato me financim të huaj, që dëshmon edhe në shifra atë që shqiptarët e përjetojnë çdo ditë, rrugët e shkatërruara dhe mungesën e punimeve në to", tha nënkryetarja e LSI-së. Kodra ka komentuar dhe shpërblimet e fundvitit të qeverisë. "Shpërndarja e disa shpërblimeve për pensionistët dhe shtresa të tjera në nevojë janë një tjetër dëshmi e falimentimit të qeverisjes dhe përpjekje të dëshpëruara për të zbutur qytetarët e varfëruar. Pagesat e fundvitit për pensionistët nuk është shpërblim, por detyrim i qeverisë për të kompensuar një pjesë të varfërimit të madh që u ka shkaktuar pensionistëve shqiptarë", tha Kodra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›