LSI: Rama të pozicionohet në raport me reformën në drejtësi
Reforma në drejtësi ishte dje objekti i komunikimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim me median. Zëvendëssekretarja e përgjithshme e partisë, Brizida Gjikondi, konstatoi se siç vërtetohet edhe nga Kalendari i fundit i punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, mazhoranca në pushtet po përpiqet të kalojë për aprovim me mënyra dhe rrugë informale dhe antiligjore disa nga ligjet më thelbësorë të reformës në drejtësi. Sipas saj, këto ligje të rëndësishme po çohen për aprovim në Parlamentin shqiptar pa u konsultuar me grupet e interesit, pa përmbushur orientimet e kriteret e BE-së, duke deformuar tërësisht themelet e sistemit të drejtësisë shqiptare, si dhe duke tronditur sërish ndarjen dhe ekuilibrin e pushteteve kushtetuese. Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh shqetësimin maksimal ndaj qeverisë "Berisha", e cila injoron dhe nuk merr në konsideratë Progres-Raportin e fundit të BE-së, i cili ishte kritik në lidhje me rrugën që po ndiqte kjo mazhorancë kundrejt reformës në drejtësi. Gjikondi gjeti rastin të ftojë Kryeministrin Berisha të reflektojë. "Ftojmë Kryeministrin Berisha të mos ta shikojë reformën në drejtësi si një mjet për t‘i shtuar vetes dhe klanit që përfaqëson pushtete antikushtetuese", u shpreh Gjikondi. Ajo i tërhoqi vëmendjen se kundrejt një sistemi drejtësie me kaq shumë probleme si ai shqiptar, duhet që reforma në drejtësi të udhëhiqet nga gjithëpërfshirja, konsultimi dhe harmonizimi me legjislacionin vendas dhe atë ndërkombëtar, kjo filozofi është e detyrueshme për mirëfunksionimin dhe jetëgjatësinë e tij të këtij sistemi. Gjithashtu LSI, kundrejt një reforme kaq thelbësore për shtetin shqiptar, siç është ajo në drejtësi, i kërkon publikisht kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama të jetë më konkret në pozicionimet që mban kundrejt kësaj reforme. "Pasi kjo reformë nuk është mjet, as qëllim për të rritur presionin dhe pazaret e Ramës ndaj Berishës, por një ardhmëri decizive për fatet e Shqipërisë evropiane", nënvizoi Gjikondi. Pak ditë më parë, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se me Sali Berishën nuk mund të kryhet reformë në sistemin e drejtësisë. Ai argumentoi se Kryeministri dhe mazhoranca e tij po synojnë vetëm uzurpimin e institucioneve kushtetuese. Rama u angazhua se kjo reformë madhore për vendin do të mund të kryhet vetëm pas rikthimit të socialistëve dhe së majtës në pushtet.