Veliaj: Energjia, qeveria po gënjen shqiptarët
G99 reagoi dje për mungesën e energjisë elektrike dhe problemet e lidhura me arkëtimin e faturave të dritave. Veliaj, pasi inspektoi një pikë të tillë dhe foli me disa qytetarë që kishin ardhur për të paguar faturat, evidentoi disa nga problemet e lidhura me punën e KESH dhe OSSH. "Kjo qeveri ka premtuar që brenda vitit 2006 nuk do të kishte më mungesa energjie dhe sot bëhet i treti vit që kjo qeveri gënjen. Është e turpshme sesi ndërprerjet e energjisë elektrike justifikohen pas gënjeshtrave të remonteve të pafundme", theksoi Veliaj. Sipas tij, nuk mund të ketë remonte 12 orë, nuk mund të ketë remonte çdo ditë në një orar siç ka ndërprerje në disa rrethe të Shqipërisë. "Këtu mund të shohim shumë qytetarë të ndershëm që paguajnë energjinë dhe që përsëri ajo ose iu mungon ose iu faturohet aforfe. Rritja e çmimit të energjisë në një kohë kur vendosja e matësve nuk është përfunduar dhe nuk janë përmirësuar arkëtimet, nuk është e drejtë", u shpreh Veliaj.