E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Rama, urdhër grave të PS-së për sulm ndaj nesh



Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Filloreta Kodra, akuzoi dje kryetarin e PS-së, Rama, se shfrytëzon gratë e partisë së tij për të sulmuar kundërshtarët. "Rama urdhëron gratë e PS-së të dalin e të hedhin baltë mbi Metën", - deklaroi Kodra. Në fakt, marrëdhëniet e Ramës me gratë ka bërë që shumë prej tyre që sot janë në politikë, ta përmendin si një prej dobësive dhe mangësive që ka kryetari i opozitës. Në konventën e Lëvizjes së Gruas në Integrim, nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra, u shpreh se LSI-ja përfshiu për herë të parë denjësisht gruan në politikë. Sipas saj, mjeti i ndryshimit është politika, politika e bashkëpunimit dhe integrimit. Sipas nënkryetares së LSI-së, kjo parti është e vetmja forcë politike që premtimet i ka detyrime, e vetmja forcë që do të bëjë ndryshimin në këtë vend. "Ne kërkojmë që të gjitha grave shqiptare t'u jepet mundësia që të tregojnë vlerat e tyre dhe vlerat e vendit tonë", - nënvizoi ajo.

Dervishaj: Qeveria, pa rezultat rrugët në ndërtim

Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Dervishaj, akuzoi dje qeverinë se po keqpërdor pushtetin për qëllime elektorale. Dervishaj mori për shembull disa akse rrugore në ndërtim, të cilat nuk kanë përfunduar ende apo raste të disa akseve të tjera rrugore që kanë nisur qysh në kohën e qeverisjes socialiste.

“Në situatën aktuale kemi dy realitete në kontradiksion me njëra-tjetrën: e para, ajo e segmenteve rrugore të filluara prej vitesh, që në periudhën e qeverisjes socialiste, me projekte të gatshme e me financime të siguruara nga partnerët ndërkombëtare, që nuk po fillojnë ose nuk po mbarojnë dot ose po zvarriten qëllimisht për keqpërdorim elektoral, si segmentet Lushnjë - Fier ose ai Levan - Tepelenë”, - tha Dervishaj, duke renditur si çështje të dytë disa segmente rrugore të prokuruara me vlerë të plotë fundvitin e kaluar ose këtë fillim viti, por të financuara vetëm pjesërisht, referuar akteve zyrtare si ligji i buxhetit 2009.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›