E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama kërcënon deputetët: Mos shëtisni nëpër zona, listën e bëj unë



Kryetari i Partisë Socialiste kërcënon deputetët se e ardhmja e tyre politike është në duart e tij, pasi listat e 28 qershorit për deputet i bën vetëm ai. Rama ka shfrytëzuar një takim me krerët vendorë për të kërcënuar grupin parlamentar aktual se kandidimi në zgjedhjet e ardhshme është në pikëpyetje. “Deputetët të mos shëtisin shumë nëpër zona se është tjetër sistem ky”, - është shprehur Rama, edhe pse pak muaj më parë ai është shprehur se performanca e çdo deputeti varet edhe nga puna që ai bën me zonën e tij.

Njëkohësisht, gjatë këtij takimi, Rama, porositi krerët e rretheve që të rekrutojnë sa më shumë anëtarë që vijnë nga LSI-ja dhe ndonjë tjetër parti. Gjatë një takimi të zhvilluar me kryetarët e bazës socialiste, kryesocialisti ka dhënë një sërë këshillash që lidhen me organizimin e PS-së për fushatën elektorale, kartat e identitetit, protestën e 15 marsit për tragjedinë e Gërdecit etj. Burime nga ky takim konfirmuan se mes të gjitha udhëzimeve, Rama u ka kërkuar kryetarëve të bazës që të mos i shohin kundërshtarët e 2005-s me sy armiqësor. “Përkundrazi, - ka thënë Rama, - nëse ndonjë është i interesuar të vijë tek ne, hapini derën. Njerëzit e LSI-së, por edhe të ndonjë partie, mos i shihni me syrin e 2005-s që kanë punuar kundër nesh. Nëse ndonjë kërkon të afrohet, ta gjejë derën hapur dhe të mos shihen si njerëzit që punuan kundër PS-së në 2005-n”, - është shprehur kreu i PS-së gjatë këtij takimi të mbyllur për mediat.

Mësohet se gjatë këtij takimi, Rama u ka kërkuar krerëve të rretheve që të nxisin sa më shumë njerëz për të aplikuar për karta identiteti, ndërkohë që është përsëritur kërkesa që të punohet për të afruar sa më shumë anëtarë të rinj, të evidentohen mbështetësit e partisë dhe në veçanti të punohet më shumë me pjesën gri të elektoratit. Njëkohësisht, krerët e PS-së janë pajisur me një kopje të Kodit të ri Zgjedhor për të cilin duhet të kenë sa më shumë njohuri. Dukuria e marrjes së anëtarëve nga një parti tek tjetra është më se e njohur, por në prag të zgjedhjeve parlamentare është bërë më e theksuar. Dy ditë më parë tre anëtarë të Këshillit Bashkiak të LSI-së në Vlorë shkuan tek PSD-ja, ndërsa 9 anëtarë të LSI-së, kryesisht ish-drejtues të strukturave të PS-së dhe ish-deputetë iu bashkuan LSI-së. Kryesocialisti Rama duket mjaft i interesuar për fenomenin sa që ka marrë përsipër të japë këshilla për këtë çështje. Largimet e herëpashershme mund ta dëmtojnë LSI-në si me tkurrje të elektoratit, por edhe në sy të opinionit publik.

Sa për LSI-në, largimet e fundit nga radhët e saj janë të ideuara nga PS-ja, si dhe kryetari i saj Rama. Një javë më parë, Ilir Meta akuzoi Ramën se po përpiqet të blejë me para kesh anëtarët e partisë së tij. Ndërsa dy ditë më parë, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, tha se po blen lart e poshtë në mënyrë qesharake individë të dobët që nuk përfaqësojnë asgjë dhe që nuk kanë asnjë kontribut as në të majtë dhe as në LSI.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›