E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama me shtabet: Vota për LSI-në është votë për PD-në

Rama ka kërkuar nga shtabet të organizojnë rrjetet e duhura të njerëzve, për të nxjerrë të gjithë qytetarët pa pasaportë, që të aplikojnë për kartë identiteti


TIRANË- Socialistët janë të sigurt, se kanë numrat e duhur të votave për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare, edhe pa bashkëpunimin paraelektoral me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Por, megjithatë, duket se numrat nuk lejojnë asnjë hap të gabuar në menaxhimin e situatës parazgjedhore.


Për këtë arsye, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka thirrur dje në një takim të posaçëm të zhvilluar në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit, të gjithë anëtarët e shtabeve elektorale nëpër qarqe, në përbërje të të cilëve janë krerët lokalë të partisë, deputetët e zonave, të deleguarit e kryesisë dhe sekretarët rajonalë, ku dhe është diskutuar, si dhe janë dhënë udhëzimet përkatëse për mirëfunksionimin e strategjisë organizative elektorale.


Burime pranë këtij takimi kanë bërë të ditur se, edhe fjala përshëndetëse, që kryetari socialist ka mbajtur në këtë takim, është përqendruar pikërisht tek nevoja për një mirëorganizim të të gjitha strukturave dhe individëve nga qendra deri në bazë, për të bërë të mundur maksimizimin e rezultatit zgjedhor.


"Numrat i kemi, por duhet të dimë t'i menaxhojmë sa më mirë, pasi fitorja varet vetëm nga ne",- mësohet të jetë shprehur Rama gjatë fjalës së vet, duke u përpjekur që të ndërgjegjësojë të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim se, në rast se në rast se do të ketë një angazhim të gjithanshëm të të gjitha vlerave dhe burimeve njerëzore socialiste, rezultati pozitiv nuk do të mungojë.


Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se çdo votë që do të arrihet të mblidhet, do të ketë një vlerë të madhe, për të garantuar një fitore më të thellë, çka do t'i jepte kësaj force dhe luksin që, pas zgjedhjeve, të qeveriste më lehtë.


Nisur nga kjo, ai ka parë të vlefshme votat që do të vijnë edhe nga ata persona që janë zhgënjyer nga linja politike që kanë ndjekur forcat e tjera, kryesisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim.


Prandaj, ai u ka bërë thirrje drejtuesve lokalë që të hapin dyert e partive që ata drejtojnë në njësitë e tyre territoriale, për të gjithë ata të zhgënjyer që kanë vendosur të japin votën për të majtën.


"Hapni dyert për të gjithë ata që kërkojnë të vijnë tek ne e të bëhen pjesë e fitores. Mos i gjykoni nëse ata na kanë sharë apo jo më parë, pasi çdo votë e tyre ka një vlerë të madhe për fitoren e projektit të Shqipërisë europiane.


Në të kundërt, një votë për LSI-në është një votë për PD-në", - mësohet të jetë shprehur Rama. Kreu socialist ka kërkuar nga drejtuesit lokalë që t'i kushtojnë një vëmendje të veçantë edhe sistemit të patronazhit dhe rrjetit të vullnetarëve, si dy rrugë që do të bëjnë të mundur informimin nga afër të çdo zgjedhësi mbi alternativën socialiste.


Ndërkohë që Rama ka shprehur shqetësim edhe lidhur me ecurinë e deritanishme të procesit të aplikimit dhe pajisjes së qytetarëve me karta identiteti.


Prandaj, ai ka bërë thirrje, gjatë fjalës së vet, që shtabet elektorale të organizojnë rrjetet e duhura të njerëzve, për të nxjerrë të gjithë qytetarët pa pasaportë për të aplikuar për kartë identiteti.


Ndërkohë, kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, ka bërë një përmbledhje të të gjitha zhvillimeve që lidhen me organizimin elektoral për të gjitha qarqet. Në takim ka folur dhe kreu i fondacionit "Qemal Stafa", Sajmir Tahiri, i cili ka informuar të pranishmit mbi ecurinë e deritanishme të rrjetit të vullnetarëve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›