E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Reforma në prokurori, e domosdoshme për të shmangur abuzimet dhe për të neutralizuar ndërhyrjen e politikës

14-07-2011 / Gazeta 55

Organi i akuzës është vënë në qendër të vëmendjes këto ditë, për shkak të skandaleve të shkaktuara me dosjet nën hetim, një pjesë e të cilave falsifikohen sipas porosive të politikës, ndërsa pjesa tjetër fshihet në sirtarët e organit të akuzës.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka paralajmëruar ngritjen e një diskutimi parlamentar për praktikat gjyqësore të ndjekura nga Prokuroria, të cilat sipas LSI-së bien ndesh me ligjin dhe kushtetutën e vendit si dhe njëherazi cenojnë sistemin e Drejtësisë në tërësi.
Ishte kreu i LSI-së Ilir Meta, i cili duke marrë shkas nga falsifikimi i provave nga ana e Prokurorisë në çështjen e video-skandalit të Dritan Priftit, ngriti si domosdoshmëri reformimin e organit të akuzës, me qëllim kthimin e besimit tek drejtësia si dhe neutralizimin e ndërhyrjeve të politikës në të. Sipas Metës, Prokuroria dominohet nga interesa që nuk kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit, ndërsa s’ka ngurruar të theksojnë se brenda sistemit të drejtësisë, në organet e gjyqësorit apo prokurorisë, ka individë të njohur, të identifikuar dhe të provuar se punojnë në kundërshtim të plotë me ligjin.
Dje, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama konkretizoi nismën e LSI-së për reformimin e organit të akuzës. Rama tha se forca e tij politike do të kërkojë domosdoshmërisht reformimin e prokurorisë si aksioni i vetëm ligjor dhe i kërkuar nga opinioni publik, për rikthimin e eficencës së zbatimit të ligjit dhe gjykimit të paanshëm.
“Apeli ynë është për reformim të tërë sistemit, për kodifikim të sistemit me të gjithë parametrat e sistemeve të ngjashme të Bashkimit Evropian dhe kush ndjehet i rrezikuar nga ky reformim, kjo nuk është çështje as e Ilir Metës, as e LSI-së, as e imja por është çështje e atij individi i cili nuk është në gjendje të përballojë kriteret që kërkon reformimi i sistemit të drejtësisë”, tha sekretari i përgjithshëm i LSI-së Luan Rama.
Sipas LSI-së, organi i akuzës duhet të dëshmojë sistem funksional, sistemi i organizuar mbi bazën e parimeve të drejtësisë si në çdo vend tjetër të Bashkimit Evropian do të bëjë të mundur që këta individë të dalin jashtë këtij sistemi dhe në rastin më korrekt të jenë objekt i shqyrtimit në këtë sistem.
Shumë çështje që shkojnë në gjykatë, çështje të ngritura dhe dosje të përgatitura nga prokurorë të paaftë, rezultojnë të dështuara për shkak të vendimeve të gjykatave në të gjitha nivelet. Reformimi i institucionit, është e vetmja shpresë për rikthimin e besimit të opinionit publik te organet e drejtësisë në vend.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›