E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria heq tarifën doganore prej 10 % për industrinë e konfeksioneve dhe të këpucëve

14-07-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha prezanton paketën e re fiskale

Shefi i ekzekutivit Sali Berisha prezantoi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, paketën e re fiskale, që përfshin projektligjet “Për akcizat”, të ndryshuar, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar. Berisha veçoi si një ndër aspektet kryesore të paketës së re fiskale heqjen e tarifës doganore prej 10 për qind për industrinë e konfeksioneve dhe këpucëve. Nga kjo masë, tha Kryeministri, buxhetit të shtetit do t’i mungojë 1 miliard lekë, por, nga ana tjetër, kjo industri, e cila në shumë nga sipërmarrjet e saj funksionon për modën më të lartë të Europës e të botës, do të ketë mundësi të zgjerohet.
Pjesë e kësaj nisme të re fiskale është edhe heqja e taksës së importit dhe e shitjeve të makinave. Gjithashtu do të ketë një tarifë mbi karburantet, si një masë, e cila, theksoi Kryeministri, është jetike për mbrojtjen e mjedisit.
“Mbrojtja e shëndetit dhe observimi i standardeve të pranueshme, përbën një kusht të domosdoshëm. Ndaj dhe taksa e karbonit e tëra, përveç pjesës që mund t’i mbetet qeverisë vendore, do të kalojë për mbjelljen e drurëve frutorë”, tha kryeministri.
Sipas kryeministrit, revolucioni fiskal është një revolucion që vazhdon pandërprerë, sepse ka të bëjë me lirinë e tregut, me lirinë fiskale.
“Ndaj ne vendosim sot, të heqim, të çlirojmë e bëjmë zero tarifën doganore prej 10 për qind, për të gjitha importet për industrinë e konfeksioneve dhe këpucëve. Nga kjo masë, buxhetit do t’i mungojë 1 miliard e më shumë lekë, por, nga ana tjetër, kjo industri, e cila në shumë nga sipërmarrjet e saj funksionon për modën më të lartë të Europës e të botës, do të ketë mundësi të zgjerohet. Ky është një nga eksportet më të suksesshme të vendit. Eksporte që dora-dorës po bëhen gjithnjë e më shumë ‘Made in Albania’. Theksoj edhe një herë se vetëm pesë muajt e fundit janë regjistruar 20 ndërmarrje të reja me fason. Ky projektligj është diskutuar gjerësisht me Këshillin e Biznesit, i cili e ka mirëpritur dhe vlerësuar shumë. Ne e marrim këtë vendim në një kohë kur të tjerët rrisin e vetëm rrisin taksat. Ne e marrim këtë vendim se modeli ynë ekonomik funksionon dhe na e jep mundësinë ta marrim këtë vendim. Ne besojmë se ky 10 përqindësh apo 1 miliard lekë që do të hynin në arkën e shtetit do të jetë më i vlefshëm në kontot e sipërmarrësve privatë, do të krijohen shumë më tepër vende pune, do të përmirësohen kushtet e punës, do të investohet më shumë e do të rriten pagat e punonjësve më shumë”, u shpreh kryeministri.
Berisha përshëndeti gjithashtu vendosjen e pagës minimale 200 mijë lekë.
Sipas kryeministrit, me shkurtimin dhe reduktimin e taksave nga Qeveria, bizneset do kenë më shumë mundësi për të mbuluar shpenzimet si dhe pagat e punonjësve të cilat do rriten me 1000 lekë të reja.
“Unë përgëzoj edhe propozimin e fundit, për të vendosur pagën minimale 200 mijë lekë. Dhe kështu duhet. Shumë shpejt, sapo të krijohen mundësitë do të kalojmë në pagën minimale për orë pune. Por, natyrisht, një vend që 20 vjet më parë e kishte pagën mesatare 5-6 dollarë, më qesharaken, fiktiven e ndër 2-3 vendet më të ulëta në botë, ende ka rrugë për të fiksuar pagë mbi orën e punës. Por jam i sigurt se nuk do të jetë e largët dita, kur ne do të vendosim pagë minimale mbi orën e punës. Po në këtë kontekst, në një vendim tjetër shumë të rëndësishëm, ne përgjysmuam akcizën e birrës, paçka se disa birrëpirës të mëdhenj mbetën të pakënaqur, por ne e kemi hallin tek qytetarët e sipërmarrësit. Nuk e kuptova pse u zëmërthyen. Ishte 22 euro dhe ne e zbritëm nën 11 euro, pra, e ulëm me 50 për qind dhe bëmë shumë mirë, sepse kjo është një industri që punëson 3 mijë vetë në Shqipëri, është një industri ndër më modernet dhe prodhimet e saj janë të shkëlqyera. Nuk jam një apasionant i birrës, por sa herë pi birrë, pi vetëm birrë vendi, pasi ia kalon të gjitha të tjerave dhe nuk është se nuk i njoh të tjerat, por me birrën e vendit nuk mund të krahasohet asnjë birrë tjetër”, tha më tej kryeministri.
Paketa e re fiskale parashikon edhe një ristrukturim të taksës së qarkullimit, taksë e regjistrimit të automjeteve. Qeverisë vendore do t’i mbetet 20 për qind e këtyre taksave, nga buxheti i shtetit. Kryeministri falënderoi Këshillin Konsultativ të Biznesit, për angazhimin e tyre serioz, në diskutimin e kësaj pakete.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›