LSI: Shqiptarët mbyllin vitin më të varfër
Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se shqiptarët teksa bëjnë bilancin e gjejnë vetën shumë më të varfër nga një vit më parë. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, vlerësoi se kjo ka ndodhur për shkak të politikave të qeverisë "Berisha" për arsye të mungesës së vizionit, si dhe korrupsionit të pandalshëm të saj që thellojnë varfërinë. "Realiteti i trishtë ekonomik dhe social i qytetarëve shqiptare, është akuza më e rëndë për papërgjegjshmërinë e qeverisjes së Kryeministrit Berisha, i cili kur flet për rritje të mirëqenies dhe përmend shifra të cilat realiteti shqiptar i denoncon si të pavërteta, me sa duket ka parasysh rritjen e nivelit të mirëqenies së tij dhe qeveritarëve të tij", nënvizoi Vasili. Teksa argumentoi se fakti domethënës i uljes së eksporteve në masën 11% sipas të dhënave të INSTAT-it në një muaj të vetëm në tetor është një shifër rekord shumë domethënëse, si dhe rritja e importeve në masën 4.4 herë në krahasim me eksportet duke thelluar ndjeshëm deficitin tregtar", u shpreh Vasili. Sipas tij, rënia e indeksit të shitjeve të tremujorit të parë me 13.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë janë tregues të një regresi ekonomik të vazhdueshëm. LSI duke qenë në anën e qytetarëve dhe pranë halleve dhe shqetësimeve të tyre, do të vazhdojë të jetë zëdhënëse dhe mbrojtëse e tyre përballë indiferencës dhe arrogancës së padëgjuar të kësaj qeverie në trajtimin e varfërisë.