E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Nuk i komentojmë spekulimet e Berishës

Spekulime të bëra në komunikime informale. Të tilla i cilësoi dje sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, aludimet e hapura për një bashkim votash mes kësaj partie dhe mazhorancës sa i takon Kodit Zgjedhor. Në një komunikim me median, LSI deklaroi se "çdo spekulim që bëhet me të tilla komunikime informale është jo serioz dhe nuk është në standardin e LSI-së për t‘u komentuar politikisht". Vasili sqaroi se kthimi në sallë dhe votimi i një ligji, që "për saktësi të publikut bëhet fjalë për Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë, pra një ligji tepër të rëndësishëm për standardet evropiane, ka lidhje me dy çështje të mëdha". Së pari, tha ai, ne kemi refuzuar politikën e bojkotit si një politikë e vjetër, shumë e konsumuar dhe e shpërdoruar nga dy partitë e vjetra. "Së dyti, çdo iniciativë ligjore, që respekton dhe garanton standardet evropiane, aq të domosdoshme për mirëfunksionimin e vendit, sigurisht që do ta ketë mbështetjen dhe votën tonë", konstatoi Vasili. Dhe, sipas tij, 84 votat e realizuara për të mbështetur Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë, janë tregues i mirë që iniciativat e përpiluara dhe të hartuara sipas standardeve evropiane, dhe të pakritikuara nga opozita, madje të mbështetura prej saj, sigurisht që do të kenë votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. "Absolutisht gjithçka që kemi bërë ne ka ecur në dy linja parimore", tha Vasili. Ai kujtoi se LSI ka këmbëngulur dhe ka propozuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore amendamente që përmirësojnë dukshëm standardin e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri. "Pastaj iniciativat e njëpasnjëshme të zotit Meta, letra dërguar zotit Edi Rama për një takim lidhur me diskutimin, në mënyrë të veçantë, të çështjeve të Kodit Zgjedhor, dhe njëkohësisht iniciativa akoma më e freskët për një dialog, i cili të promovohej nga njerëz dhe figura të spikatura të së majtës shqiptare", nënvizoi Vasili. Nisma që në këndvështrimin e tij vijnë në shërbim të linjës së gjetjes së një dialogu parimor, edhe për çështjen e Kodit, për të vendosur në parametrat e duhur një nga kyçet e demokracisë në Shqipëri, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Drejtuesi i LSI-së komentoi edhe kritikat e ndërkombëtarëve për votimin e ligjit të dosjeve. "Nxitimi, arroganca klienteliste dhe vënia e interesave partiake të ngushta mbi interesat e vendit, të shoqëruara me një ‘nxitim‘ të madh parlamentar abuziv, ka qenë karakteristikë që me miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë, të cilat u bënë me një nxitim të patreguar, shumë më të madh sesa ky i sotmi, në tri orë. Po i njëjti nxitim ka karakterizuar dhe miratimin e Kodit Elektoral", nënvizoi Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›