E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI, Vasili: Nuk ka patur takim Berisha- Meta

Ka reaguar LSI lidhur për takimin në Pogradec të liderit të saj Meta dhe kryeministrit të vendit Berisha. Sipas sekretarit të përgjithshëm të LSI Vasili, ky takim do të bëhet në kohën e duhur dhe do të jetë transparent. 

TIRANE- Përmes një deklarate për mediat sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, ka reaguar lidhur me publikimin të një ditë më parë të lajmit për takimin Meta- Berisha. Sipas Vasilit nuk ka patur asnjë takim mes kreut të LSI-së Ilir Meta dhe kryeministrit të vendit Sali Berisha.
“Nuk ka patur asnjë takim për negociata mes dy liderëve, pasi priten rezultatet. Negociatat do të zhvillohen në kohën e duhur dhe ato do të jenë transparente”- ka deklaruar Vasili.
Ndërkohë një ditë më parë mediat publikuan se kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kanë zhvilluar një takim jashtë kamerave në Pogradec. Sipas tyre, dy liderët kanë diskutuar për kabinetin e ri qeveritar. Takimi është zhvilluar në vilën qeveritare në qytetin e Pogradecit.
LSI iu bashkua Partisë Demokratike për të bashkëqeverisur për katër vitet e ardhshme, pasi asnjë parti nuk mundi të kishte maxhorancën e duhur në Parlament për të formuar qeverinë e re. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›